Nga Erblina Mile
Industritë në vend kanë nisur të reflektojnë efektet negative të rritjes së kostove si pasojë e krizës së çmimeve. Përfaqësues të fabrikave kanë ngritur shqetësimin edhe më parë se aktiviteti i tyre po vihet në vështirësi për shkak të shtrenjtimit të lëndës së parë dhe energjisë elektrike të cilën janë të detyruar ta sigurojnë në treg të lirë.
Të dhënat e INSTAT pasqyrojnë ndikim e krizës pasi nëngrupi që ka pësuar rënie të eksporteve gjatë muajit tetor janë materialet e ndërtimit dhe metalet. Ky grup ka pësuar një ulje me gati 3.2% të eksporteve ndërkohë që në muajt e mëparshëm ka pasur kontribut me rëndësi.
Nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë edhe eksporti i mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë, ka pasur ngadalësim si psojë e rritjes së kostove.
I vetmi sektor i cili vijon të ketë performancë pozitive gjatë muajit tetor janë fasonët. Tekstilet dhe këpucët kanë peshën kryesore në rritjen e eksporteve duke pësuar një rritje me gati 7% të ndjekura nga makineritë dhe pjesët e këmbimit.
Por edhe në sektorin fason eksportet më tepër janë rritur në vlerë sesa në sasi, për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para.
Sipas raportit të tregtisë me jashtë në Tetor 2022 eksportet e mallrave arritën vlerën 38 mld lekë, duke u rritur me 12,5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë por duke u ulur me 0,8 %, në krahasim me Shtator 2022.
Importet e mallrave arritën vlerën 83 mld lekë, duke u rritur me 8,6 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me 5,3 %, në krahasim me Shtator 2022. /abcnews.al/