Kuvendi është mbledhur sot sot në seancë plenare ku do të ketë një mocion me debat për Integrimin Europian.
Seanca nisi në orën 10:00, ndërsa pritet që mes projektligjeve që do të diskutohet është ai për segmentin Qukës-Qafë Plloçë.
Një tjetër çështje për tu diskutuar është akti normative për miratimin e tekstit të amendimit të katërt në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V.
Ndër të tjera parashikohet që të ketë mocion me debat për Integrimin Europian dhe Mandatet e Imunitetin me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
18:27 –Balla përplaset me Spahon: Jeni bërë lukuni e sulmoni Portin e Durrësit se “non gratat” e Saliut janë lënë jashtë projektit
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla është përplasur me deputetin demokrat Edmond Spaho gjatë seancës së sotme plenare.
Balla tha se pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, qeveria do të vijojë me projektin për Portin e Durrësit. Sipas tij, arsyeja që Berisha është nxehur, është se janë lënë jashtë këtij projekti.
Debati:
Balla: Përmenda pak më parë përsëri Portin e Durrësit. Për të gjitha idiotësitë, për të gjitha shpifjet që thuhen për këtë projekt, ne nuk kemi për të pushuar asnjë moment. Arsyeja pse ju jeni bërë lukuni për të sulmuar këtë projekt, është se vëllezërit e Saliut, non grata, kolegë të Saliut janë përzënë. As Zeni, as Saliu, as familjarët e tij nuk mund të blejnë asnjë pronë këtu. Anjë non grata nuk mund t’i afrohet asnjë centimetri katror të këtij projekti. Prandaj është nxehur Saliu, o Mondi. E keni të qartë që po filloi Projekti i Durrësit ju nuk fitoni as në Durrës, as në Shqipëri, as në 2023 as në 2025 dhe as në 2029.
Spaho: Sa për shakanë që bëre me non gratat, ka filluar Vangjush non grata po shet pallatet atje. Na tregoni përralla këtu. Sa për Damianin prisja të më thoshte spiun. Por pastaj u kujtova që Damiani vetë ka punuar në SHIK. Damiani është siç thotë ajo fjala “ç’i sheh syri, ia vjedh dora.”
16:02 – “Kemi bërë punë kolosale”, Çuçi: Jemi në një fazë shumë të avancuar me BE-në
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi nga Foltorja e Kuvendit pasditen e sotme u shpreh se diskutimi lidhur me procesin e integrimit evropian është është në një moment krejt ndryshe nga raportet e tjera të progresit.
Sipas tij, raportet e tjera të progresit kanë qenë për një vend i cili tentonte vazhdimisht të çelte negociatat dhe të fillonte procesin e Screening dhe priste të ishte në paradhomën e BE-së.
Çuçi: Ky raport është për një vend i cili e ka kapërcyer këtë fazë. Jemi në një fazë shumë të avancuar me BE-në dhe padiskutim që nga sot ne nuk duhet të merremi me retorikën politike, shpeshherë boshe që prodhojnë këto lloj raportesh, por duhet të merremi me kontratën konkrete. Duke qenë se kapitulli i parë që ne fillojmë të negociojmë me BE është kapitulli 24 që ka të bëjë me sigurinë, e vlerësova maksimalisht këtë moment. Zyrtarisht filluam të marrim në mënyrë të hollësishme në detaje të gjithë legjislacionin dhe kuadrin rregullator që ka Shqipëria për tu përputhur me atë të BE.
Çuçi bëri me dije se nga kolegët e BE-së kanë marrë vlerësime pozitive për këtë progres.
Çuçi: Në ditën e parë që fillojmë negociatat për kapitullin 24, kemi përmbushur 52 prej tyre dhe kjo ka ardhur si pasojë e një pune kolosale. Jemi të angazhuar në drejtim të ndryshimeve legjislative shumë ambicioze. Shqipëria është një ndër vendet në pararojë të të gjithë vendeve në fazën ku ndodhemi tani
15:40 – I ngriti dy gishtat, Spiropali i përgjigjet Berishës: SPAK të ndërmarrë veprime, nuk ka gojë të flasë ky për Shqipërinë
Ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali ka hedhur akuza ndaj Sali Berishës, lidhur me paralajmërimin e tij se mund të organizohet një protestë kombëtare më 6 dhjetor, ditë kjo kur në Tiranë mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor.
Spiropali tha se Berisha nuk ka gojë të flasë, ndërsa theksoi SPAK duhet të reagojë sa herë që ai bën thirrje për dhunë dhe për destabilitet.
“Shqipëria ka bërë progres të padiskutueshëm. Ju këtë nuk e pranoni. Keni ngritur një opozitë të tërë mbi baltosjen, sulmet nuk i keni sporadike por të organizuara. I keni për të ardhur në pushtet me çdo kusht. Haxhi Qameti sot është penduar me dorëzimin e mandateve. U munduat me braktisjen e zgjedhjeve. Por nuk ia arritët se BE dhe SHBA e ka kuptuar atë që doni ju.” tha Spiropali.
“Ju nuk keni gojë të flisni për Shqipërinë. Më 6 dhjetor zhvillohet konferenca me BE dhe ky që sapo foli, që e ka damkën nga SHBA e Britania, ky thotë do bëj protestë të na shohë komuniteti i BE se kush jemi? Sali Berisha duhet dënuar me injorim të plotë. Sa herë bën thirrje për dhunë duhet ta thërras prokuroria. Nuk turpërohet pak SPAK kur ky e thërret SKAP? Nuk tregohet dot me dinjitet për të vërtetuar ato që thotë SHBA?” shtoi Spiropali.
14:15 – Sjellja e Berishës në Kuvend dhe përgjigja e mazhorancës, Alibeaj: Duhet shkulur me rrënjë kjo rracë politikanësh të korruptuar
Kreu i Grupit Parlamentar Enkelejd Alibeaj, me anë të një statusi në rrjetet sociale ka reaguar sërish lidhur me atë që ndodhi në seancën e sotme në Kuvend. Alibeaj shprehet se pavarësisht se mocioni ishte për Integrimin, nisi me një sherr të madh mes mazhorancës dhe deputetëve mbështetës të Sali Berisha. Mes të tjerash Alibeaj shkruan se skenat ishin banale të një politike të lodhur.
Deputeti demokrat shkruan se vetëm shkulja me rrënjë e kësaj “race politikanësh të zhurmshëm, bejtexhinj, të korruptuar dhe hakmarrës primitivë, që kanë përdorur çdo formë dhe çdo mjet për të marrë dhe qëndruar në pushtet, mund të sjellë ndryshimin e madh për të cilët shqiptarët kanë sot nevojë më shumë se kurrë”.
Deklarata e Alibeajt:
Sot në Kuvendin e Shqipërisë u zhvillua seanca për mocionin në debat lidhur me Procesin e Integrimit në Bashkimin Europian. Një mocion i kërkuar nga unë, si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe i zvarritur nga mazhoranca në zyrat e drejtueses së Kuvendit prej javësh. Nisur nga vlerësimet kritike të raportit të fundit të BE-së dhe ngecjen e këtij procesi që ka si pergjegjës Kryeministrin dhe Qeverinë e drejtuar prej tij, prisja që sot të diskutonim apo edhe debatonim për arsyet e vërteta që e kanë lënë Shqipërinë kaq mbrapa në këtë proces jetik. Por seanca nisi si një sherrnajë, skenë e parë mijra herë nga shqiptarët ku shkaktarët e vërtetë dhe ata që zhurmojnë, ia dalin të tërheqin vëmendjen nga debati, për ti lënë vendin skenave banale të politikës së lodhur të tranzicionit.
Me keqardhje vërej se jo vetëm akuzat, por dhe fjalori mes dy palëve që japin shfaqjen e radhës duke u “ndeshur” në parlament, është shumë e ngjashme. Sikundër po me keqardhje, konstatoj se thelbi i debatit, ai i analizës së arsyeve që na kanë lënë peng në procesin e integrimit merr formën e shëmtuar të akuzave dhe kundër akuzave të atyre që janë përgjegjësit e vërtetë të këtij tranzioni që po mban peng Shqipërinë dhe shqiptarët.
Perballë çdo qytetari shqiptar sot qëndron një regjim i korruptuar, me rrënjë të thella në çdo institucion shtetëror, përfshirë edhe ata që në dukje janë të pavarur. Një sistem që ka në dorë gjithçka që lidhet me mirëqënien e shqiptarëve dhe që punon veç për interesat e klientëve dhe oligarkëve. Unë jam i bindur se ky sistem shkatërrohet veç me nje alternativë të qartë e të pastër: të papërlyer me lojrat dhe marrëveshjet okulte të politikës së vjetër që përmes të sharave dhe banalitetit mbajnë në skenë njëri-tjetrin. Vetëm shkulja me rrënjë e kësaj rrace politikanësh të zhurmshëm, bejtexhinj, të korruptuar dhe hakmarrës primitivë, që kanë përdorur çdo formë dhe çdo mjet për të marrë dhe qëndruar në pushtet, mund të sjellë ndryshimin e madh për të cilët shqiptarët kanë sot nevojë më shumë se kurrë.
Kjo nuk është utopia e deputeteve të PD-së që kërkojnë të ndryshojnë këtë sistem të korruptuar. Kjo është dëshira dhe kërkesa e çdo qytetari të ndershëm që ndihet i fyer dhe i poshtëruar nga ata që duhet të punojnë për ti siguruar një jetë më të mirë. Është kërkesa urgjente për një vend që po shpopullohet çdo ditë nga varfëria, korrupsioni, por edhe nga mungesa e shpresës se një ditë mund të bëhet më mirë. Dhe për të risjellë këtë shpresë duhet forcë, guxim dhe moral për tu përballur me ata që janë shkaktarët e vërtetë të mjerimit të sotëm! Ne duhet dhe do ta bëjmë këtë për shqiptarët.
13:46 – Akuzat për pastrim parash, Balla i përgjigjet deputetit të PD: Porti i Durrësit do bëhet, do shkojmë bashkë të pimë kafe
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla i është përgjigjur kolegut demokrat, Ferdinand Xhaferaj, në lidhje me akuzat për portin e Durrësit.
Balla tha se ky është një investim i madh dhe gjëja më e mirë që do t’i ndodhë Durrësit. Ai mori si shembull Kroacinë dhe Serbinë, ku pati investime të ngjashme dhe nuk u kundërshtuan nga opozita, pasi sillnin përfitime në ekonomi.
“Ky është shansi më i madh, gjëja më e madhe dhe e mirë që do t’i ndodhë qytetit të Durrësit. Ajo që ne do t’i japim Durrësit është diçka, do t’i japim Durrësit detin që nuk i është dhënë gjithë këto vite. Durrësi do të ketë edhe port mallrash dhe do e ketë në vend tjetër. Merrni mundimin dhe shkoni këtë javë në Lungomaren e Vlorës. E mbani mend çka bërë partia juaj kur u çlirua lungomare? Të njëjtën gjë që po bëni sot. Shkoni pyesni banorët e Vlorës. Ajo që do të ndodhë në Durrës është diçka shumë më e madhe. Mos bëni gabimin e Sali Berishës kur flisni, që t’i vishini njerëzve kostume që nuk i kanë. Ngelen Emiratet e Bashkuara Arabe të pastrojnë paratë këtu. Kur u bë i njëjti investim në Kroaci nuk foli asnjë nga opozita kroate, përkundrazi e mbështeti. Edhe në Serbi nuk foli asnjë, sepse thanë është investim për ekonominë”, tha Balla.
“Hiqni dorë nga ky sulm që i bëni investimeve të huaja. Do bëhet porti i Durrësit, Ferdinand, dhe do shkojmë dhe bashkë të pimë një kafe”, tha Balla duke iu drejtuar Ferinand Xhaferajt.
13:42- Porti i Durrësit, Xhaferaj: Foltorja të heqë dorë nga baltosja e kolegëve e të tregojë pse hesht për Porto Romanon
Deputeti demokrat Ferdinand Xhaferaj, në seancën e sotme plenare kur po bëhet një mocion me debat për integrimin europian të vendit, është shprehur se nëse Shqipëria nuk bën një kthesë të madhe dhe ta bëjë prioritet, procesi do të mbesë në vendnumëro.
Xhaferaj kujtoi dy shembuj, atë serb i cili mbetet ende pezull, dhe ai kroat që ka qenë një rast suksesi. Deputeti demokrat kujtoi se Serbia bëri një projekt të ngjashëm me atë të Portit të Durrësit në 2014 dhe që prej atëherë, procesi i negociatave ka mbetur në vend.
Nga ana tjetër, Xhaferaj u bëri thirrje kolegëve të tij në “grupin Berisha” që të mos hedhin baltë ndaj atyre që mendojnë ndryshe.
Po ashtu, ai e pyeti “Foltoren”, siç iu drejtua vetë, se cila është arsyeja që heshtin për projektin e Porto Romonas.
“Nëse integrimi është prioriteti ynë strategjik, ta dini që për qeverinë ka vetëm korrupsions strategjik. Kolegëve të Foltores u them të heqin dorë nga baltosja e kolegëve që mendojnë ndryshe. Të shpjegojnë pse hesht për projektin e Porto Romanos. Çfarë e lidh Foltoren që hesht Porto- Romanos. JemI kundra projekteve korruptive të zhvillimit.”
Ministri i Drejtësisë i është përgjigjur ashpër Sali Berishës, i cili e akuzoi për punësime politike.
Manja e ka cilësuar si një “njeri të Rusisë në Tiranë”, Sali Berishën, duke thënë se ai ngrihet për të çuar në vend porositë që merr nga Moska.
Berisha paralajmëroi se mund të organizohet një protestë më 6 dhjetor, datë kjo kur krerët e BE vijnë në Tiranë në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor.
“Fjalori që përdoret sot këtu tregon se ora ka ngelur në të kaluarën. Bllokojnë debatin për integrimin duke përcjellë sinjalet më të këqijat për ekspertët në Bruksel. Në rrafshin personal nuk jam këtu për tju përgjigjur Sali Berishës si Ulsi. Se një njeri ka gënjyer tre herë, se nuk e kishte baxhanak atë që humbi jetën në Gërdec. Ai ka marrë përsipër një grup të opozitës. Rusia ka pasur historikisht njerëzit e vet në Tiranë, por që janë kaq besnik sa ngrihen edhe nga shtrati për të marrë detyrat natën ky është lajm. Ka edhe prova për këtë gjë. Ja tha Berisha…do vendoset brenda dy ditëve data e protestave. Këtu zbret Europa thotë ai. Pra me 6 dhjetor mbahet samiti i BE me Ballkanin. Akoma ka shqiptarë që e besojnë atë që merret me politikë vetëm për vete. Ka mijëra nëna të veshura me të zeza vetëm prej tij. Ndahuni sa nuk është vonë prej këtij njeriu. Nuk i vjen e mira nga ky. Hienat e komunizmit duan të bëjnë peng të ardhmen e Shqipërisë. Kjo kohë ka mbaruar. Qasja jonë është e drejtë do të jetë pjesë e Europës.”
Deputetja demokrate Flutura Açka ka kritikuar nga foltorja e Kuvendit kryeministrin Edi Rama për gjuhën fyese që përdori ndaj opozitës të enjten e kaluar.
Ndërsa e cilësoi sjelljen e kryeministrit si satanike, Açka kujtoi se ndërsa e quan opozitën të pafe, kryeministri është duke harxhuar miliona euro duke “u hequr skalpin shqiptarëve.”
Po ashtu, deputetja demokrate e pyeti kryeministrin se ku e ka tashmë “vëllain e tij” serb ndërkohë që kanë nisur tensionet në veri të Kosovës.
“Shtëpinë e ke europiane, por nuk të punon pragu. Erdhi këtu e feu opozitën, na tha të pafe, të pa din, të pa iman, rublaxhinj e të tjera. Deri tani, problemi është çfarë ka ndodhur? E njoh prej 25 vitesh që është në politikë. Ka pasur gjithë të drejtën që të bëjë vërejtje ndaj atyre që janë në pushtet.
Këtij njeriu i ka ndodhur një metamorfozë, nga sindromi i Diogjenit, armik u briskut dhe I ujit. Ka shkuar te sindromi i kukullës së lumtur. Që nuk bie në tokë asnjë herë…Është një sjellë thjesht satanike. Jam e detyruar të qëndroj në këtë pikë. Kush qenka ky që na thotë ne jemi të pafe. Ky që harxhon miliona euro në ajër, duke u hequr skalpin shqiptare për publicitetin e tij…”
12:40- VIDEO/ Spiropali ngre dy gishtat, çfarë nuk u pa teksa Berisha fliste nga Facebook-u
Seanca e sotme plenare është pezulluar disa minuta pasi në foltoren e Kuvendit shkoi kreu i PD-së, Sali Berisha dhe Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka.
Berisha u vendos në foltore, por Feliaj i fiku mikrofonin. Më pas kryedemokrati u fut live në Facebook dhe ka mbajtur fjalën e tij.
Të gjitha këto sollën kaos në Kuvend, ndërsa u vu re edhe reagimi i ministres së Shtetit, Elisa Spiropali. Ajo ka zgjedhur t’i përgjigjet Berishës me një “mesazh” me shenja, duke ngritur dy gishtat lart. Berisha për disa minuta nuk e lëshoi foltoren duke bllokuar seancën.
12:36- Xhaçka: Hapja e negociatave e vonuar, qeveria ka bërë punë të madhe
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka marrë fjalën gjatë mocionit me debat për progress raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë gjatë vitit 2022.
Xhaçka vuri në dukje se negociatat nuk u hapën falë një vendimi bujar të vendeve anëtare, por ishin të merituara, madje të vonuara.
“Unë dua t’i falenderoj kolegët e opozitës për këtë mocion që na jepni mundësi shumë të mirë për të diksutuar për procesin e integrimit. Ky mocion vjen në një moment kur procesi i integrimit ka hyrë në një fazë të re shumë sfiduese. Nuk ishte një vendim gjeneroz, por një vendim i merituar siç është pranuar edhe nga vetë Perëndimi”, tha Xhaçka.
“Vlerësimi teknik ëhstë rekomanduar që të hapen jo sot, por që tre vjet të shkuara. Vit pas viti kemi të njëjtin rekomandim. Është një vendim i vonuar, nuk është një vendim gjeneroz, është nje vendim që vjen si pasojë se vlerësimeve subjective të vendeve që e mbajtën peng hapjen e negociatave”, vijoi më tej ministrja.
Ajo shtoi se raporti i vitit 2022 është provë që qeveria ka bërë punë të madhe për hapjen e negociatave dhe ka çuar më tej reformat në vend.
“Opozita duhet të këkrojë llogari tek qeveria, por duhet të pyesë veten se çfarë ka bërë ajo për këtë process. Unë besoj që raporti i vitit 2022 është konfirmim i punës së madhe që ne kemi bërë për të çuar para hapjen e negociatave me Bashkimin Europian”, tha Xhaçka.
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla hodhi akuza ndaj Sali Berishës, duke thënë se ai nuk e ka dashur kurrë integrimin. Balla këtë e lidhi me paralajmërimin që Berisha bëri, për datën 6 dhjetor kur në Tiranë vijnë krerët e Bashkimit Europian dhe ata të Ballkanit Perëndimor.
Duke iu referuar paralajmërimit të Berishës se do të vijë Europa, Balla thotë se do të jetë fyese nëse do mbahet protesta e radhës në ditën kur të vijnë liderët europianë.
Edhe pse Berisha nuk dha një datë fikse ai theksoi se populli do të reagoj duke e lidhur me faktin që “Europa do të vijë së shpejti në Tiranë”.
“Dështimi i mitingut, planifikimi i mitingut të radhës. Ditën e Samitit të Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor janë ata që shkaktojnë dhimbje që kthen këtu pastaj në formë fyese për ne. Teksa ne prisnim të merrnim fjalën…për Integrimin. Sali Berisha nuk e do Integrimin. Nuk ka qenë këtu kurrë. Është sjelle për të penguar integrimin si sot. Ndaj filloi pjesa e konfliktit të brendshëm” tha Balla.
12:08- Sërish akuza dhe tensione në PD, Paloka i kthehet Alibeajt: Thotë me paturpësi që është kryetar
Situata në Partinë Demokratike duket se nuk është foert e mirë pasi negociatat dëhstuan për të dalë me një kandidat të përbashkët në zgjehdjet lokale.
Pasi Kreu i Grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj, doli në foltoren e Kuvendit ku iu pëërgjigj akuzave ndaj tij se “bën pazare me Ramën”, ka reaguar edhe Edi Plaoka.
Lexo edhe: “Pazarxhinj ne?!” Alibeaj u përgjigjet akuzave: Nuk ma lejon edukata të flas me të njëjtën gjuhë
Deputeti demokrat thotë se Alibeaj është “kryetar i atij grupi që bashkëpunon me Ramën në Parlament për t’i bllokuar gojën opozitës.”
Në fund, Paloka ka paralajmëruar se në sallën e Kuvendit do të duhet të flasin shqiptarët e dëmokratët dhe jo ata që kanë uzurpuar mandatet me votën e të parëve.
Reagimi i plotë:
Alibeu paska dale ne podium per te sulmuar PD jo Ramen ! Ky qe pranon te ulet e bashkepunoje me Tao Ballen , deklaroi se as “ nuk do ti perfaqesoje ata me te cilet nuk e lidh asgje”, duke nenkuptuar deputetet e PD. E me paturpesi pastaj shton se qenka kryetar i grupit te PD! Te kujt PD, te asaj qe voton ne Parlament sic urdheron Rama e qe ka perfunduar me keq se “kerperata” ? Te atij grupi qe bashkepunon me Ramen ne Parlament per ti mbyllur gojen opozites e per te bllokuar nismat e saj ?
A mund te na thote ky Alibeu si pjese e Konferences se Kryetareve se si ka mundesi qe Rezoluta per krimet e ganocidin ne Kosove , ne shkelje te cdo procedure, vazhdon te qendroje ne sirtar ?
Po projektligji per lustracionin i paraqitur nga ne, pse vazhdon te mos e shoh driten ? A e ka ngritur ne Konferencen e kryetareve kete ceshtje ky “bashkeluftetari” i Tao Balles ne gjoja hapjen e dosjeve ?! Sigurisht qe jo, sepse nuk e lene Tao me Ramen. Prandaj dhe Rama ndjehet komod dhe leshon cfare i vjen ne goje per opoziten, kur ne salle eshte vetem Alibeu…
Prandaj shume shpejte ne ate salle do duhet te flasin shqiptaret, demokratet e jo ata qe kane uzurpuar karriget e mandatet me voten e tyre e ca me shume ata qe jane aty me vote te vjedhur e manipuluar.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka akuzuar të enjten Sali Berishën dhe Ilir Metën se po tentojnë të pengojnë punën e Kuvendit.
Ndërsa i cilësoi njërin si “non grata” dhe tjetrin si bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, Balla tha se ajo që u pa sot në Kuvend, ishte një kthim pas në shumë vite. Teksa komentonte bllokimin e foltores nga deputetët e Berishës më herët gjatë ditës, Balla tha se bëhet fjalë për një sjellje që tenton të pengojë edhe integrimin.
“Konflikti i brendshëm i partisë më të madhe në opozitë ka ndikuar në jetën parlamentare të Shqipërisë. Progres raporti i KE për 2022. Ajo që pamë ishte si një rikthim i shumë viteve më parë. E njëjta njollë e zezë e Shqipërisë, u mundua të marrë peng Kuvendin e Shqipërisë. Vijoj ta them sa herë të më jepet mundësia, është në turpin e Kuvendit të Shqipërisë, që një nongratë me një bashkëpunëtor të Sigurimit të mundohen të pengojnë punën e Kuvendit. Përpjekja për të bllokuar foltoren, është sjellja për të penguar integrimin.”
Po ashtu, Balla tha se opozita po tentohet të bllokojë projektin e Portit të ri të Durrësit pasi druhet se kështu jo vetëm që s’ka shanse t’i fitojnë zgjedhjet e 2025, por as ato të vitit 2029.
Kreu i Grupit të PD-së u shpreh i bindur se PS do t’i fitojë si zgjedhjet vendore ashtu edhe ato të përgjithshme.
11:40- “Ky parlament nuk meriton të ekzistojë”, Berisha: Jam zotuar që këtu do të vijë populli…
Ish- kryeministri Sali Berisha, ka bërë një deklaratë të fortë sot duke thënë se “parlamenti aktual nuk meriton që të ekzistojë.”
Ai theksoi se do të vijë një ditë që populli opozitar do të mbërrijë në Parlament dhe do të jap përgjigjen e merituar sipas tij për gjithçka ka bërë qe
“Nuk respektohet asnjë nen i kushtetutës. Gjithçka bëhet për të shuar zërin e opozitës. Ata nuk duan që ne t’i denoncojmë këto vjedhje. Parlamenti ka marrë formën e platforme sharje.” tha Berisha.
“Kjo na detyroi, që të dalim fal Facebook të komunikojmë me qytetarët se ndryshe nuk do na lejonin. Është bërë një institucion që marrin vendime grupe kriminale me dhe pa pushtet. Ky pushtet nuk meriton të ekzistojë. Siç jam zotuar më 12 nëntor. Në momentin e caktuar këtu në Kuvend do vijë populli shqiptar. Kemi 4 muaj që kemi dorëzuar një rezolutë për krimet serbe në Kosovë. Por këto nuk e fusin në procedurë. Linda e parlamentit e mban sirtar. Linda e Parlamentit zbaton porositë e Edit të Surrelit. Edi thotë fjalë më të turpshme.” tha Berisha.
11:37- “Pazarxhinj ne?!” Alibeaj u përgjigjet akuzave: Nuk ma lejon edukata të flas me të njëjtën gjuhë
Kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj ka marrë fjalën në foltoren e Kuvendit, ku ka refuzuar t’u përgjigjet akuzave të kolegëve të tij demokratë se është “i shitur tek Edi Rama”.
Alibeaj tha se nuk ia lejon edukata të përgjigjet me të njëjtën gjuhë.
Ai tha se opozita reale është shkëputja nga mentaliteti i 30 viteve, ndërsa shtoi se detyra e opozitës është t’u thojë qytetarëve shqiptarë të vërtetën.
“Do doja të sqaroja diçka. Ky është një mocion që do diskutojë parlamenti për nëj çështje shumë të rëndësishme që është progress raporti i BE për shqipërinë. për të diskutuar rrugën që Shqipëria duhet të marrë për ta cuuar para drejt Brukselit. Do thoja diçka pë rata që më përmendën emrin, por edukata familjare nuk ma lejon të flaës me këtë gjuhë. Kush bën opozitë reale duhet të bëjë diçka, të shkëputet nga gjuha e shëmtuar që ka mbizotëruar në parlament për 30 vite”, tha ai.
Alibeaj komentoi edhe gjuhën e kryeministrit Edi Rama në Kuvend dhe fyerjet që pasuan nga kolegët e tij demokratë, Bujar leskaj dhe Edi Paloka.
“E njëjta gjuhë, të njëjta fyerje, të njëjta epitete dhe akuzohemi ne për shitje? Akuzohemi ne për pazare. Shqiptarët do duhet ta kuptojnë sot e përgjithmonë. Ka ardhur koha për tu ndarë nga ky 30-vjeçar që i ka mbajtur të mbyllur e të mbytur. Ky është fundi, kjo është ndarja. Është ndarje në gjuhë, në mentalitet, ndarje përtej hipokrizisë opozitare. Opozitë nuk ëhstë të vish të bësh zhurmë dhe jashtë kësaj seance të ndash oligarkë, klientë, afera. Këtë e kemi për detyrim t’ua themi zgjdhësve tanë. E kemi për detyrë sot e në vazhdim. E di që dara e 30 viteve do të vazhdojë. Ne duhet të jemi të bindur, kjo është skarificia që duhet të bëjmë ne. Pazarxhinj ne?! Që për komisionin e inceneratrorëve një pjesë këtu nuk e votuan dhe sot na e mbajnë si kauzën më të madhe. Është sakrificë dhe kontribut i disa njerëzve këtu që sot mund të jenë edhe të heshtur”, tha Alibeaj.
11:34- “Këtu vjen Europa”, liderët e BE në Tiranë, çfarë paralajmëron Berisha: Populli opozitar…
Sali Berisha ka theksuar se brenda dy ditëve do të vendoset për protestën e radhës në Shqipëri kundër qeverisë.
Edhe pse nuk ka përcaktuar një datë, Berisha ka përmendur ardhjen e krerëve të BE në Tiranë, më 6 dhjetor, duke thënë se “Europa do të jetë këtu dhe populli do të japë mesazhin e tij”
“A do t’i hymë vezirit brenda? Ato i di populli. Do të japë mesazh. Brenda dy ditëve do të vendoset. Padiskutim do ketë protestë brenda këtij viti. Këtu zbret Europa. Populli opozitar do të jetë këtu. Nuk ndërpritet më kjo, është betejë për të ardhmen e Shqipërisë. “ tha Berisha.
11:21- Berisha-Ramës nga Parlamenti: Rregullo gjuhën, nuk vijmë këtu as për ty e as Taulant Sharrën
Ka rifilluar seanca plenare në Parlament dhe kryedemokrati Sali Berisha e ka marrë fjalën nga vendi pasi përfundoi transmetimin direkt në Facebook. Berisha akuzoi drejtuesit e seancës që prej katër muajsh tashmë pjesës së opozitës që ai përfaqëson nuk i jepen të drejtat elementare kushtetuese.
Po ashtu, ish-kryeministri i bëri thirrje Edi Ramës, i cili ndodhet sot në Serbi, që gjuhën fyese dhe ofenduese të mos e përdorë më në parlament.
“Ka katër muaj që ju nuk respektoni as të drejtat më elementare kushtetuese tona. Kjo situatë duhet të marrë fund nëse doni paqe dhe stabilitet në Parlament. Jemi përpjekur shumë që të kërkojmë zbatim të rregullave. U garantoj ju, siç u zotova më 12 nëntor, do të jetë populli opozitar….Nuk pranojmë ne të shkelmohemi nga askush sepse nuk shkelmojmë njeri.
Për Taulant Sharrën dhe Edi Ramën nuk do të vinim kurrë në Parlament. Na vjen turp. Asnjë kombinacion nuk do të funksionoj më. Mos përdor më atë gjuhë që përdor, ne këtu vijmë më fjalën se mund të të japim çdo përgjigje në tokë që ekziston. Atë mbaje në kuzhinën tënde në Surrel, po këtu mos përdor gjuhën që përdor,” u shpreh ndër të tjera Berisha.
Menjëherë pasi kryedemokrati Sali Berisha mbaroi fjalën e tij, pasi seanca plenare u ndërpre dhe ai hyri në një lidhje “live” në Facebook, ka vijuar më pas deputeti Belind Këlliçi.
Ky i fundit tha se kjo formë u zgjodh pasi drejtuesja e seancës nuk u dha fjalën.
“Nëse ne po gënjejnë, nëse po i biem në qafë ministres, të vij vetë në debat të hapur të bëjë transparencë për publikun dhe t’u provojë qytetarëve shqiptarë që deputetët e opozitës po gënjejnë. Sot jemi njohur me procesverbalin e seancës së kaluar ku kemi parë atë debat të një niveli bandidesk, ku Edi Ramën e kanë zili të gjithë të burgosurit. Ne jemi te vendi i krimit, ku Edi Rama fyen opozitën, deputetët. Sot dy deputetë të opozitës janë të përjashtuar për 10 ditë vetëm se i janë përgjigjur akuzave dhe fyerjeve të Edi Ramës. Sot kemi një opozitë të vërtetë në mbrojtje të interesit të qytetarëve. Drejtuese e seancës mund të vazhdosh seancën normalisht duke i dhënë fjalën të gjithë deputetëve që kanë kërkuar fjalën. Nuk na dhe të drejtën as për procedurë”, tha Këlliçi, teksa Ermonela Felaj njoftoi rifillimin e nisjes së punimeve të Kuvendit.
Ndërkohë që mbetet e ndërprerë seanca plenare gjatë ditës së sotme, ish-kryeministri Berisha dhe deputetët që e mbështesin vijojnë fjalën e tyre nga Facebook-u.
Berisha tha se askush nuk mund ta ndalte, sepse tashmë ishte mrekullia Facebook që u lejonte të flisnin me shqiptarët, elektoratin dhe ndërkombëtarët.
“Ja iku dhe Xhaçka, investitorja jonë strategjike. Kjo është ministrja investitore strategjike”, tha Berisha duke iu drejtuar më pas Ulsi Manjës.
“Ulsi, vetëm dy mushka kanë mbetur pa u punësuar në fshatin tënd, prandaj bëhesh badigardi Ramës ti. Prandaj të sjell ty si binjak të Spiropalit”, tha Berisha duke kërkuar fjalën.
11:08- KAOS NË KUVEND/ Fillon seanca, Berisha dhe deputetët e tij vijojnë interpelancën në Facebook
Një situatë kaotike është krijuar në Kuvendin e Shqipërisë paraditen e së enjtes. Sali Berisha dhe deputetët e tij kanë dalë marrë fjalën nga foltorja e Parlamentit ndërsa seanca plenare ishte pezulluar për disa minuta.
11:05 – Felaj ndërpret seancën, Berisha i “sulet” nga Facebook-u: Jam pa limit këtu, kjo është mrekulli
Ish-kryeministri Berisha nuk ka pranuar ndërprerjen e seancës plenare nga Ermonela Felaj duke pushtuar fillimisht foltoren e Kuvendit bashkë me deputetët që e mbështesin. Pas debatesh dhe ndërprerjes së seancës, Berisha ka nisur fjalimin e tij pikërisht nga foltorja, por tashmë jo me mikrofonin dhe kamerat e Kuvendit, por nga Facebook-u i tij.
Vijojnë debatet e nisura që në fillim të seancës plenare në Kuvendin e Shqipërisë.
Në këtë seancë pritet të ketë një mocion me debat për Integrimin Europian, por deputetë nga grupi i Berishës janë ankuar se nuk është dhënë koha e duhur për diskutim.
Deputetja demokrate Ina Zhupa tha se është njoftuar së fundmi se nuk është më pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ndërsa akuzoi pjesën tjetër të kolegëve të saj se janë bërë bashkë me mazhorancën që të mos i “lënë të flasin e të bëjnë opozitë.”
“Si qenka kufizuar koha e deputetit? Dyshoj, që këta duan që ta limitojnë që të bëjnë vetë marrëveshjen me mazhorancën. Dhe të mos na lënë të flasim e të bëjmë opozitë.
“Në momentin që ne kërkojmë fjalën, aq sa të na bjerë…dua ta di në cilin nen më ndalohet të flas për procesin e integrimit. Kush e ka vendosur që opozita të mos flasë? 1 apo 2 minuta, sa të bjënë?”
Edhe deputeti Edmond Spaho kërkoi më shumë kohë diskutimi ndërsa theksoi se në atë sallë është deputet i pavaruar dhe nuk përfaqësohet nga Enkelejd Alibeaj.
“Thoni që keni marrë vendim në konferencë të kryetarëve. Unë jam i pavaruar, s’më përfaqëson as Alibeaj dhe asnjë tjetër. Kushtetuta më jep të drejtë që të vij e të diskutoj këtu. Nuk është hera e parë që e bëni këtë. Ju jeni bedelat e atij që vjen në karrigen kryesore. Ju jeni rublaxhinjtë e Lukashenkos…Si ju janë edhe ca të tjerë nga krahu jonë, jeni bërë turpi i qytetarëve shqiptarë e keni përdhosur këtë parlament.”
10:58- Plas në Kuvend, Berisha dhe të tijtë pushtojnë foltoren, ndërpritet seanca
Seanca plenare e ditës së sotme është pezulluar për 5 minuta, pasi kryedmeokrati Sali Berisha dhe disa deputetë bllokuan foltoren.
Në këtë moment, drejtuesja e seancës, Ermonela Felaj njoftoi se seanca do të pezullohej për 5 minuta.
Situata e tensionuar u krijua pasi deputetë të opozitës shprehën mosdakordësinë e tyre për kohën që iu ishte lënë në dispozicion për të folur.
“Pse unë kam dy minuta kohë ndërsa kolegët e tjerë kanë nga 10 dhe 20 minuta. A është kohë folje kjo 2 minuta? Këtu flisni ju dhe pastaj emëroni edhe ndonjë vasal tuajin për të lexuar hartim në emër të opozitës, por jo për të bërë opozitë dhe pastaj dilni e ikni të qeshur nga këtu. Kjo është turp”, tha deputeti Flamur Noka, para se ai dhe kolegë të tij të shkonin drejt foltores.
10:49- Balla: Rublaxhinjtë dhe non grata duan të pengojnë diskutimin për integrimin europian
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka kërkuar që në Kuvend të fillojë menjëherë diskutimi për progres raportin e Komisionit Europian.
Balla akuzoi opozitën se është përpjekur ta pengojë këtë diskutim, por kjo duhet të ndalojë.
“Pas 42 minutash sorrollatje pas asnjë kuptim dhe përpjakje për të penguar Kuvendin për të zhvilluar një prej debateve më të rëndësishme si debate për progres raportin e Komisionit Europian për vitin 2022, kërkesa ime është që të kalohet direkt në diskutimin e këtij raporti.
Ka një përpjekje shumëvjeçare të rublaxhinjve, të non gratës për të penguar kuvendin e Shqipërisë dhe Shqipërinë të fokusohet në integrimin europian. Kërkesat për fjalën për procedurë merren vetëm një herë. Partneri i Kostandin Kovaçevit nuk mund të pengojë diskutimin në Kuvendin Shqiëprisë për progress raportin. Rublaxhiu i Vladimir Putinit nuk mund të pengojë Kuvendin në diskutimin e progres raportit”, tha Balla.
10:20- Nis me debate seanca e sotme plenare, Berisha sulmon Ramën: Ka moral dhe psikologji prej xhelatësh
Ka nisur me debate seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë. I pari që mori fjalën ishte kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha. Në fjalën e tij me mikrofon të fikur, kryedemokrati doli kundër procesverbalit duke shtuar se mban “gjuhën e një ordineri” duke iu referuar kështu kryeministrit Edi Rama.
“Ky procesverbal përmban gjuhën e një ordineri e cila është e denjë vetëm atë që ka si moral dhe si psikologjinë, moralin dhe psikologjinë e xhelatëve paraardhës të tij.”
Ish-kryeministrit ia ndërpreu fjalën nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj ndërsa pati edhe reagime nga salla nga ana e deputetëve të Berishës.
RENDI I DITËS
Në mbështetje të Urdhrit nr. 87, datë 15.11.2022 të Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, rendi i ditës është si më poshtë vijon:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 9.11.2022.
2. Njoftime.
3. Mocion me debat për Integrimin Europian
4. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes Istisna’a dhe të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së Agjencisë Istisna’a, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim, për ndërtimin e segmentit Qukës-Qafë Plloçë, si pjesë e korridorit rrugor Tiranë-Korçë, ratfikuar me ligjin nr. 128/2013.”
5. Projektligj “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2021”. (Neni 164 i Kushtetutës dhe nenet 55 dhe 73-77 të Rregullores, shumicë e thjeshtë votash për miratim)
6. Akt normativ nr. 13 “Për miratimin e tekstit të amendimit të katërt në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, miratuar me aktin normativ nr. 3, datë 18.1.2021, të ndryshuar”.
7. Akt normativ nr. 14, datë 5.10.2022 “Për marrjen e masave të veçanta gjatë kohëzgjatjes së gjëndjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike”.
8. Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.
9. Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të policisë së shtetit, gardës së Republikës dhe shërbimit për çështjet e brendshme dhe ankesat në Ministrinë e Brendshme”, të ndryshuar.
10. Raportet e Këshillit për Rregulloren, Mandateve dhe Imunitetit me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka.
11. Projektvendim “Për një ndryshim në vendimin Nr. 36/2020 “Për miratimin e strukturës, organikës dhe nivelit të pagave për akademinë e shkencave në Republikën e Shqipërisë”.
12. Projektvendim “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA)”.
13. Projektvendim “Për një ndryshim në Vendimin nr. 69/2021”Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit””, i ndryshuar.
14. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (60’).
/abcnews.al/