Prokuroria e Tiranës ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për nxitjen e bashkëpunimit me OSBE-në. Kjo marrëveshje bashkëpunimi do të shërbejë për përmirësimin e punës në luftën kundër krimit e specifikisht në luftën kundër korrupsionit dhe ndërmarrjen e hapave konkretë në këtë drejtim.
Memorandumi i mirëkuptimit u nënshkrua nga Drejtuesja e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Elizabeta Imeraj dhe Ambasadori i OSBE- së në Tiranë, Bernd Borchardt.
Në njoftimin drejtuar mediave thuhej se prokuroria e Tiranës është e impenjuar në një luftë pa kompromis kundër krimit, për të krijuar terrene të përshtatshme për transparencë dhe llogaridhënie, të cilat çojnë në ushtrimin nga secili prej nesh në përmbushjen e rregullt të detyrës.
“OSBE ka si qëllim të japë ndihmën e saj në përpjekjet e Shqipërisë për të zhvilluar institucione efektive demokratike, duke përfshirë dhe Prokurorinë e Tiranës”, thuhej më tej në njoftim./ABC News Albania 24/7