Presidenti Donald Trump ka anuluar përkohësisht një operacion të gjerë për arrestimin dhe dëbimin e emigrantëve nga qytetet kryesore të Shteteve të Bashkuara. Lëvizja e tij erdhi pasi demokratët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut e cilësuan operacionin një “aksion brutal e të pashpirt”.
Presidenti Donald Trump njoftoi se do të shtyjë me dy javë operacionet kundër emigrantëve të paligjshëm, që ishin planifikuar për të dielën në 10 qytetet më të mëdha të Shteteve të Bashkuara. Tërheqja e presidentit erdhi pasi u përball me një valë kritikash nga kryetarët e bashkive të qyteteve, nga demokratët dhe aktivistët pro-emigracionit që i quajtën operacionet e arrestimit dhe deportimit si “të pashpirt”. “Me kërkesë të demokratëve kam shtyrë me dy javë procesin e deportimit. Të shohim nëse gjatë kësaj kohe ata dhe republikanët do të bashkëpunojnë dhe do të gjejnë një zgjidhje për problemin e azilantëve dhe kufirit tonë jugor”, tha Trump në Twitter.
Ndërkohë, një zyrtar i Agjencisë për Emigracionin dhe Doganat tha për CNN se struktura e posaçme po planifikonte të arrestonte dhe dëbonte 2 mijë familje emigrantësh, duke filluar nga dita e diel. Pak para vendimit, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nensi Pelozi i telefonoi Trump dhe i kërkoi anulimin e operacioneve. Ajo i quajti operacionet e planifikuara një “aksion brutal e të pashpirt që do të ndajë familjet dhe do t’i fusë tmerrin komuniteteve”.
“Këto familje janë pjesë e komuniteteve tona dhe vendit tonë. Veprimi i presidentit nuk bën dallim mes shkeljes së një statusi dhe kryerjes së një krimi të rëndë”, tha Pelozi. Pas vendimit të Trump ajo u shpreh në Tëitter se vendimi i presidentit është i mirëpritur dhe se koha e mbetur duhet përdorur për një reformë gjithëpërfshirëse për emigracionin. Pelozi shtoi se, familjet duhet të qëndrojnë të bashkuara. /ABC News Albania 24/7