Ekipi i Abcnews.al u përball me një situatë të pazakontë dje. Teksa intervistonte qytetarët në rrugë problematikat e përditshme në kuadër të rubrikës “Box Pop”, gazetarit Ermal Vaka dhe operatorit Endri Omeri i afrohen dy zonja, të cilat donin të denonconin një problematikë, e cila lidhej me mohimin e të drejtës së pensionit të njërës prej tyre prej 10 vitesh.
Zonja në fjalë është Magbule Muskallari nga Pogradeci, e cila sot është 70 vjeçe dhe jeton me vetëm pensionin e bashkëshortit prej 7 mijë lekësh, ndërsa prej dhjetë vitesh i mohohet e drejta e pensionit të vetë për shkak të zhdukjes së dokumenteve që vërtetojnë se ajo ka qenë prej tre dekadash infermiere.
Pavarësisht kësaj, ajo tha për mikrofonin e Abcnews.al se prej vitesh gjendej në dyert e gjykatrave, por pa patur mundësi të gjente të drejtën e saj. Gjatë intervistës, Abcnews.al mësoi se çifti i të moshuarve kishin humbur edhe djalin që ishte 29 vjeç.
“Jetoj me 70 mijë lekë. Jam mbytur me borxhe. Kam punuar për 25 vite si infermiere por nuk marr pension pasi janë grisur listë pagesat. Kërkoj nga shteti të më japë një zgjidhje. Shkuam edhe në Korçë ku i gjetëm sigurimet shoqërore, por nuk mund ta ndjek rastin, pasi avokatja më kërkoi 5 milionë lekë, nuk kam ku t’i gjej”, shprehet e moshuara.
Ndërkohë që kunata e cila shoqëronte të moshuarën tregoi se ajo dhe bashkëshorti i saj ushqehen vetëm 1 herë në ditë.
“Këta hanë bukë vetëm njëherë në ditë, se kam qenë unë tek shtëpia e këtyre. Kur më bie dera i them burrit erdhën të kërkojnë lekë. A duhet të kesh frikë t’i hapësh derën kunatës se po vjen të kërkojë lekë. Kjo ka 25 vite punë dhe nuk merr asnjë lekë, çfarë të bëjë”, rrëfen kunata e të moshuarës për Abcnews.al.
Abcnews.al kontaktoi menjëherë me Drejtorinë e Institutit të Sigurimeve Shoqërisë, të cilët garantuan ndjekjen e çështjes dhe gjetjen e një zgjidhjeje, ndërsa që prej ditësh së djeshme dhe mëngjesit të sotëm, numri i redaksisë dhe rrjetet tona sociale janë përmbytur nga mesazhe të qytetarëve që duan ta ndihmojnë materialisht të moshuarën deri sa të gjejë të drejtën e saj.
Zonja erdhi sërish sot pranë redaksisë së Abcnews.al duke deklaruar se dje dhe sot e kanë telefonuar shumë dashamirës duke e ndihmuar materialisht.
Abcnews.al do ta ndjekë në vijim zgjidhjen e çështjes së pensionit të zonjës në fjalë, ndërsa falenderojmë këdo që u bë dhe do të bëhet në vijim pjesë e kauzës për t’i dhënë një dorë zonjes Magbule!
/abcnews.al