A duhet ndryshuar standardi i gjuhës shqipe? Baçi dhe Osmani: Ka nevojë për rishikim, por jo të gabuar

schedule22:01 - 8 Nëntor, 2022

schedule 22:01 - 8 Nëntor, 2022

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe bën këtë nëntor 50 vjet dhe pas kësaj kohe ngrihet vazhdimisht pyetja nëse duhet rishikuar standardi.

Kjo ka qenë tema e emisionit “Log.” mbrëmjen e sotme, ku të pranishmit në studio janë ndarë në mendime nëse gjuha shqipe duhet të ruajë standardin e vendosur 5 dekada më parë, apo duhet rishikuar me zhvillimet që ka pësuar vitet e fundit.

Për analistin Agim Baçi standardi duhet rishikuar, duke marr parasysh pasurimin që ka pësuar gjuha pas viteve ’90.

“Gjuha e gjallë e dhe gjuha e shkruar janë gjithmonë në betejë. Pas viteve ‘90 ne kemi një gjuhë që e kemi pasuruar krej ndryshe, prandaj është e rëndësishme të ulet dhe të rishikohet kjo me fjalorin, sa mbijeton kjo gjuhë e gjallë”, tha Baçi.

Edhe për mësuesen e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, Oriana Osmani, gjuha ka nevojë të rishikohet, por jo në mënyrë të nxituar dhe të gabuar, pasi do të jenë breza që do të shkruajnë dhe mësojnë me atë gjuhë.

“Unë mendoj që ndoshta ka nevojë të rishikohet , por janë gjuhëtarët që do të japin përfundimisht për të ndërhyrë në gjuhë, nëse kemi një ndërhyrje të nxituar, të gabuar, janë breza të tërë që do të vijnë me këtë gjuhë”, tha ajo. /abcnews.al