Pa u bërë ende 24 orë ka ardhur dhe largimi i dytë nga radhët e deputetëve të PD. Mbrëmjen e së hënës ishte Alfred Rushaj i cili njoftoi largimin nga politika dhe lënien e mandatit, duke bërë me dije se është një vendim për arsye personale.
Ndërkohë që ditën e sotme Grida Duma në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat deklaroi se ka dorëzuar në Komisionin e Mandateve kërkesën për lënien e mandatit.
Duma tha se e bën këtë akt pasi është shumë e zhgënjyer nga politika.
Kujtojmë që një ditë më parë në media Duma u përfol se do të largohej nga politika për t’iu bashkuar botës së medias, ku flitet se do të marrë drejtimin e një emisioni politik.
Largimi i Rushajt dhe Dumës nga parlamenti, do t’i japë mundësinë që të hyjnë në Kuvendin e Shqipërisë, Petrit Dodës dhe Oriola Nebiajt.
Doda merr mandatin e Rushajt, pasi pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të një viti më parë KQZ riformatoi listat duke i renditur deputetët jo sipas numrit nominal të vendosur nga paria, por në bazë të votave të marra.
Doda në zgjedhjet elektorale të 25 prillit të vitit të kaluar mori 5987 vota, ndërsa ishte i rënditur i 32-ti në listën e Tiranës.
Nga ana tjetër moderatorja Oriola Nebiaj ka marrë 5599 vota në zgjedhjet e kaluara.
View this post on Instagram
Por pritet që në radhët e PD të ketë të tjera largime. Një ndër ta mund të jetë edhe deputeti Belind Këlliçi, i cili tashmë ka shpallur kandidaturën e tij në primaret për garën e Bashkisë së Tiranës.Në rast se Këlliçi do të dalë fitues në primaret brenda PD, ai do të duhet të dorëzojë mandatin e deputetit për të hyrë në garë për Bashkinë e Tiranës, përballë kryetarit aktual Erjon Veliaj.
/Abcnews.al/