Ngujoi familjen për 6 vite, Laçi: Jam njeri i shenjtë, i mbroja nga e keqja

schedule15:45 - 7 Nëntor, 2022

schedule 15:45 - 7 Nëntor, 2022

Nga Xhensila Kodra

Xherxh Laçi, i cilësuar nga policia si radikalist dhe i arrestuar një ditë më parë, ka mohuar të ketë dhunuar bashkëshorten e tij Elena, si dhe dy djemtë, Albanin dhe Sulltanin, përkatësisht 15 dhe 17 vjeç. Para oficerëve të komisariatit nr 4 dhe agjentëve të Antiterrorit, 50 vjeçari ka dëshmuar se nuk i linte fëmijët të dilnin mga banesa për të mos u infektuar.

“Kam ndjekur parimet e mia fetare. Fëmijë dhe bashkëshorten nuk i kam lënë të dalin për t’i ruajtur nga e keqja. Nuk doja që ata të nisnin drogën apo të infektoheshin. Unë jam njeri i shenjtë dhe do i mbroja nga çdo e keqe”.

Por krahas dëshmisë së tij, dy djemtë dhe nëna e tyre kanë treguar në prani të psikologëve se ata dhunoheshin sistematikisht.

Bashkëshortja Elena Laçi ka dëshmuar se prej 6 vitesh qëndronte e mbyllur, pasi bashkëshorti nuk e lejonte të dilte për shkak të bindjeve të tij fetare. Madje sipas saj, në 6 muaj e fundit, ishte dhunuar sistematikisht që të mos dilte në asnjë moment nga pragu i shtëpisë.

Tashmë, Elena dhe dy djemtë e saj janë dërguar në një qendër rehabilitimi.
Banesa e tyre në zonën e 5 Majit në kryeqytet qëndron e kyçur. Aty erdhi babai dhe motra e 50 vjeçarit. Nazif Laçi mohon që i biri të ketë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes.

Motra e 50-vjeçarit, Rita Kaca u shpreh se nuk ka pasur dijeni se familja e të vëllait kishte probleme.

Banorë të zonës thonë se përreth kanë parë vetëm 50 vjeçarin dhe asnjëherë gruan e fëmijët e tij.

Xherxh Laçi, i njohur edhe me emrin Gjergj Laçi pritet të dalë të martën në Gjykatën e Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë. Ai akuzohet për dhunë në familje, keqtrajtim të miturish dhe armëmbajtje pa leje.

Për të policia u njoftua nga banorë të zonës se për 6 vite me radhë mbante të ngujuar bashkëshorten dhe fëmijët duke mos i lejuar të shkonin as në shkollë. Pas arrestimit në banesë u gjëten dy thika, një sasi municioni prej 700 fishekësh si dhe 2 krehër automatiku./abcnews.al/