“Negociatat nuk nisën me Gazment Bardhin, por me dikë tjetër”, kështu ka deklaruar Edi Paloka mbrëmjen e sotme pasi grupi i Enkelejd Alibeaj njoftoi se nuk është arritur një marrëveshje mes palëve për të dalë me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e 14 majit.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka ka preferuar që të mos e thotë emrin e personit më të cilën kanë nisur negociata, megjithatë ka theksuar se i vetmi kusht që kishin për grupin e Alibeajt kanë qenë “Primaret”
“Negociatat nuk kanë filluar sot me zotin Bardhi, por kanë filluar më herët, me një person që nuk dëshiron të bëhet publik. Nuk kam pse ta them unë. E kam takuar Bardhin dje dhe i thashë këto që po ju them unë sot”, theksoi Paloka.
Sipas Palokës grupimi i Enkelejd Alibeaj ka kërkuar eliminimin e procesit të primareve dhe strukturave në këtë forcë politike.
Partia Demokratike do të shkojë e përçarë në zgjedhjet e ardhshme vendore që do të zhvillohen më 14 maj të vitit të ardhshëm.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka deklaruar se pala tjetër ka vendosur si kusht gjatë bisedimeve, që të njihet “Statuti i 11 Dhjetorit”, çka sipas tyre, ka minuar bisedimet për të gjetur zgjidhje për zgjedhjet.
/abcnews.al/

