Rreth 92% e popullsisë në Shqipëri kanë fituar antitrupa të virusit SARS –CoV -2 përmes kalimit të sëmundjes apo vaksinimit.
Imunologu Genc Sulcebe prezantoi rezultatet e fazës së katërt të studimit të Akademisë së Shkencave kryer në një kampion prej 2 mijë e 182 individësh gushtin e këtij viti.
“Sidoqoftë, niveli 92.2% i seroprevalencës në popullatën shqiptare duket se shoqërohet aktualisht me një ekuilibër «dinamik» midis imunitetit kolektiv dhe përhapjes së infeksionit COVID-19 dhe ky ekuilibër ka sjellë si pasojë ulje të ndjeshme të numrit të rasteve me COVID-19 në popullatë.”
Por ky ekuilibër sipas mjekut mund të prishet lehtë me uljen e imunitetit të fituar, shfaqjen e varianteve të reja të koronavirusit dhe motit të ftohtë që favorizon grumbullimet në mjedise të mbyllura.
Në ato shtete ku rregullat anti Covid janë respektuar vdekjet shtesë sipas epidemiologut Alban Ylli kanë rezultuar më të ulëta. Pandemia ende nuk ka mbaruar ndërkohë infeksionisti Arjan Harxhi apelon për të siguruar terapitë e reja për parandalimin e formave të rënda të sëmundjes.
Terapi këto që pas aplikimit në shumë shtete kanë dhënë rezultate të kënaqshme./abcnews.al/