Rusia u tërhoq nga marrëveshja, OKB kërkon të mbajë të hapura rrugët detare të transportit të drithit nga Ukraina

schedule10:16 - 31 Tetor, 2022

schedule 10:16 - 31 Tetor, 2022

Ukraina, Turqia dhe Kombet e Bashkuara po punojnë të hënën për të vazhduar transportet e drithit përmes Detit të Zi, pasi Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në një marrëveshje për këtë çështje të ndërmjetësuar nga OKB-ja.

“Anijet civile të transporteve të mallrave nuk mund të jenë kurrë një objektiv ushtarak ose të mbahen peng. Ushqimi duhet të rrjedhë,” shkroi të hënën në Twitter Amir Abdulla, bashkërendues i Kombeve të Bashkuara për këtë çështje.

OKB-ja tha se kishte një marrëveshje të përbashkët për një plan që 16 anije të lëviznin nëpër korridorin humanitar detar, duke përfshirë 12 që niseshin nga portet e Ukrainës drejt një zone inspektimi jashtë Stambollit.

Një deklaratë e së dielës tha gjithashtu se Turqia dhe OKB-ja do të siguronin ekipet e inspektimit të 40 anijeve që janë larguar nga Ukraina.

Dy anije mallrash të ngarkuara me grurë dhe prodhime të tjera bujqësore u larguan të hënën nga portet e Ukrainës, raportoi Agjencia e lajmeve France-Presse duke cituar një faqe interneti të trafikut detar.

Më shumë se 9.5 milionë tonelata grurë dhe prodhime të tjera ushqimore janë larguar nga portet ukrainase që nga fillimi i muajit gusht, sipas marrëveshjes së arritur me Ukrainën dhe Rusinë për të rifilluar dërgesat mes një krize globale ushqimore.

Rusia tha të shtunën se po pezullonte pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e cila përfshinte sigurimin e ekipeve të inspektimit dhe lejimin e Rusisë të eksportonte plehra artificiale, duke pretenduar se Ukraina kreu një sulm me dron kundër flotës ruse të Detit të Zi, në brigjet e Krimesë së pushtuar. Ukraina e ka mohuar sulmin.

Tregjet e grurit janë qenë të paqëndrueshme për shkak të agresionit rus në Ukrainë, meqë të dy vendet janë ndër eksportuesit më të mëdhenj të drithit në botë.

Asnjë anije nuk lëvizi nëpër korridorin humanitar detar të dielën. Midis atyre që prisnin të kalonin ishte anija “Ikaria Angel”, të cilin Programi Botëror i Ushqimit e kishte kontraktuar për të dërguar 30,000 tonë grurë në Bririn e Afrikës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian paralajmëruan se uria globale mund të rritet për shkak të veprimit rus dhe i bënë thirrje Moskës të respektojë plotësisht marrëveshjen.

Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC) paralajmëroi për pasojat katastrofike të pezullimit të pjesëmarrjes së Rusisë në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga OKB-ja. Me luftën në Ukrainë që ndryshon modelet globale të prodhimit dhe furnizimit me ushqime, inflacioni në vendet me të ardhura të ulëta është rritur në pothuajse 90 për qind. Rreth 345 milionë njerëz do të përjetojnë pasiguri të menjëhershme ushqimore këtë vit, tha organizata.

Ndërsa dhjetëra miliona njerëz vazhdojnë të përballen me urinë e skajshme në Afrikën Lindore dhe Somalia është në prag të urisë si pasojë e thatësirës më të keqe në 40 vjet, bllokada e ripërtërirë do të vazhdojë të pengojë importin e 80 për qind të drithit nga rajoni Rusi-Ukrainë, duke nxitur kështu urinë e mëtejshme, paralajmëroi Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit. /REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!