Nga Vetting
Pasi lë pas liqenin e Shkodrës dhe i drejtohesh Malësisë së Madhe, ngjitesh në pllajën e Rapshit dhe zbret Leqet e Hotit, të shfaqet përpara një luginë mes shpateve të thepisur të Alpeve Shqiptare që ndan krahinat e Kastratit dhe të Shkrelit. Malet madhështorë qëndrojnë të heshtur mbi luginë prej miliona vitesh, ndërsa mbi ta kanë mbetur detajet e skalitura prej akullnajave dhe erozionit, duke i kthyer në kryevepra të natyrës. Mes luginës gjarpëron lumi i Cemit, i cili ju jep jetë lëndinave e pyjeve në shpatet e poshtme, të banuara prej mijëra vitesh prej njerëzve të parë që shkelën në këto troje, shqiptarëve. Ndërsa uji i kristaltë i lumit bashkohet me ujëvarat pranë Selcës dhe zbret duke gurgulluar mes shkëmbinjve, nëse ngjitesh drejt grykës së luginës të pret një mrekulli tjetër: Lëpusha.
Kjo luginë e shtruar me tapetin e gjelbër të lëndinave nga pranvera në vjeshtë, rrethohet nga pyje të larta, ndërsa mbi to fshihen Bjeshkët e Namuna nën hijen e majave të Alpeve që njihen si Maja e Vajushës, Maja e Berizhdolit, ndërsa më tej në horizont edhe majat e tjera, të gjitha mbi 2000 metra të larta. Prej maleve të lartë, mespërmes luginës rrjedh uji i përroit Sheu i Lepushës, i cili ndryshe nga të gjithë përrenjtë e alpeve shqiptare niset drejt Danubit.
Rreth 100 vjet më parë, ky log ishte vend verimi për bagëtitë e barinjtë e fshatrave të më poshtë. Kishte vetëm disa konakë të ndërtuar për të kaluar verën. Me kalimin e kohës këto vende u kthyen në vendbanime të përhershme dhe aty nisën të ndërtohen kullat e larta dhe të forta me gurë e dru.
Tashmë kullat janë kthyer në bujtina, ku pret e përcjell turistë shqiptarë dhe të huaj.
Ashtu si shumë krahina të Shqipërisë dhe këto zona janë prekur nga largimi i të rinjve, por Meli dhe Valteri janë dy prej të rinjve të kësaj krahine që vendosën të ndërtojnë të ardhmen e tyre në kullat e të parëve, në këtë kodrinë me panoramë mahnitëse.
Për shkak të mundësive ndonjëherë të munguara, apo lidhjeve me të afërm që i kanë prej kohësh në emigracion, ata janë tunduar shpesh për të ndjekur rrugën e shumicës së bashkëmoshatarëve. Dilemat lidheshin me vështirësitë e fillimit, por me kalimin e viteve do të vinte edhe rezultati pozitiv, suksesi i sipërmarrjes së tyre me “Bujtinën tradicionale”. Valteri bashkë me Melin menaxhojnë me sukses bujtinën, e cila nuk është vetëm kulla e të pareve, por ia kanë dalë të shtojnë edhe tri shtëpi të bukura druri ku pushojnë turistë. Punojnë me pasion për të ofruar shërbime cilësore dhe mjedise komode që t’i presin sa më mirë turistët, gjithashtu promovojnë ushqimet tradicionale të zonës. Valteri e ka bërë të njohur djathin e veçantë të “Mishavinës së Lëpushës” në shumë vende të botës.
“Mishavina e Lëpushës” është produkti i parë shqiptar i regjistruar nga ministria e bujqësisë si një markë e rëndësishme që shkon nëpër tregjet ndërkombëtare.
Por nuk mjafton vetëm dashuria për vendin dhe përpjekjet e pandalshme për t’ia dalë mbanë. Duhet bërë më shumë që kjo luginë të marrë vlerën që i takon dhe që të njihet e frekuentohet më tepër nga turistët duhet mbështetja e qeverisë.
Një tjetër model suksesi vjen nga Lapusha, është Paulin Nilaj që prej pak vitesh ka nisur të menaxhojë bujtinën “Lëpusha” e ngritur prej prindërve të tij. Ka ndodhur ndryshe në familjen Nilaj, prindërit e Paulinit jetojnë në SHBA por Paulini nuk e sheh më si zgjidhje emigracionin.
Më tej njihemi me bujtinën ‘Aureli’. Menaxhohet nga Ermali 27 vjeçar. Nuk e gjetëm në bujtinë ditën e filmimeve, sepse ndodhej në Rinas duke pritur disa turistë të huaj që do të kalonin disa ditë në bujtinën e tij. Babai i tij, Ndue Kolpllumbaj është aty për ta mbështetur të birin në menaxhimin e bujtinës, që ka pak vite që funksionon. Ermali është kthyer nga emigracioni në Itali, ku kishte qëndruar 16 vite. Me të ardhurat e fituara bashkë me të vëllanë kanë ngritur këtë bujtinë të bukur. Babai i tyre është ndër prindërit më me fat, sepse nëpër oborre zhurmojnë zërat e nipërve dhe mbesave.
Lenadër Leka është një 27 vjeçar gjithashtu nga Lëpusha. Ai menaxhon bujtinën ‘Alpin’, një ndër agrobizneset më në zë të kësaj zone. Lenadri rrëfen vështirësitë e fillimit kur çdo natë mendonte se të nesërmen në mëngjes do të nisej në emigracion. Leanadri beson se ishte koha e pandemisë që iu dha shansin turistëve shqiptarë të njihen me Lëpushën. Turistë shqiptarë apo të huaj qofshin, gjejnë ambient të ngrohtë e familjar në bujtinën e tij.
Këta të rinj janë shumë mirënjohës ndaj institucioneve shtetërore për ndërtimin e rrugës. Padyshim që nuk është pak, sepse falë edhe këtij investimi të qeverisë, ishte shumë më e lehtë që turistët të vizitonin bujtinat e tyre, duke i kthyer në një destinacion turistik shumë të rëndësishëm brenda pak vitesh.
Kush e ka vizituar një herë, është rikthyer sërish në Lëpushë. Deri tani, institucionet shtetërore nuk kanë kryer asnjë investim përveç rrugës.
Problemi i pronësisë mbi tokën është pengesa kryesore për të zhvilluar më tej bizneset e tyre.
Në nëntor, Lëpusha dhe të gjitha fshatrat që gjenden në këto anë, mbulohen nga dëbora. Dimri zgjat gati 6 muaj dhe shumicën e kësaj kohe ata janë në errësirë.
Meli, Valteri, vajza e tyre disa muajshe Klea, Lenadri, Pavlini, Ermali e dhjetëra të rinj të tjerë në Lëpushë, Selcë, Vërmosh, Tamarë kanë vendosur të jetojnë ndër këto male, atje ku i ka lindur baba, gjyshi e stërgjyshi… atje duan të ndërtojnë të ardhmen. Me shumë sakrifica po punojnë për ta bërë më të mirë jetën në këto lugina. Është detyra e institucioneve shtetërore që t’i mbështesin, duke zhvilluar turizmin shqiptar dhe duke krijuar një të ardhme të sigurt për ta në trojet e tyre.