Rusi-SHBA, lufta kibernetike ndërron kah

schedule20:00 - 18 Qershor, 2019

schedule 20:00 - 18 Qershor, 2019

Lufta kibernetike mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara ka ndërruar kah. Tani është Amerika, që sipas mediave lokale po sulmon Rusinë duke vënë në shënjestër infrastrukturën elektrike të saj. Duke reaguar Kremlini e ka cilësuar këtë një hipotezë të mundshme.

Rusia ka deklaruar se është e mundur që sistemi i saj elektrik të jetë nën një sulm kibernetik nga Shtetet e Bashkuara. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov ka thënë se të dhënat se trupat kibernetike amerikane kanë futur viruse kompjuterike në sistemin elektrik janë një “hipotezë e mundshme”. Komentet e tij erdhën pas një lajmi të publikuar në “Nju Jork Tajms”, se hakerat e ushtrisë amerikane po vinin në shënjestër impiantet ruse të energjisë. Lajmi shkaktoi skepticizëm tek ekspertët si dhe një reagim nga presidenti Donald Trump. Në lajmin e saj e përditshmja amerikane deklaroi se, virusi amerikan ishte vendosur brenda shumë elementëve të rrjetit energjitik rus.

Ndërsa revista “The Times” shkroi se fushata në fjalë ishte një reagim i Shteteve të Bashkuara ndaj fushatave ruse të hakerimit dhe dezinformimit. Zëdhënësi Peskov tha se, presidenti Trump i kishte hedhur poshtë këto hipoteza, duke i etiketuar me termin e tij të preferuar “Fake news”.

“Nëse dikush mendon se agjencitë qeveritare e kanë bërë këtë pa informuar kreun e shtetit, atëherë me siguri kjo tregon se lufta kibernetike kundër Rusisë mund të jetë një mundësi hipotetike”, nënvizoi Peskov. Ai shtoi se, pjesë kyçe të infrastrukturës ekonomike të Rusisë janë ndodhur nën sulme të vazhdueshme kibernetike, por vendi ka arritur t’i frenojë ndërhyrjet, ndaj dhe nuk ka patur dëme./ABC news Albania 24/7