“E kam pa prej tribune ndeshjen”, Lirim Kastrati tregon pse kaloi te Kosova

schedule13:28 - 18 Qershor, 2019

schedule 13:28 - 18 Qershor, 2019

Një talent i Kosovës mund të kishte qenë pjesë e kombëtareve shqiptare. Sulmuesi Lirim Kastrati tregon historinë e tij me ekipin e Shqipërisë U17.

Është një nga lojtarët e rinj më të talentuar. Lirim Kastrati po shkëlqen në Kroaci me Lokomotivën e Zagrebit, dhe quhet shpresë e Kosovës, por ndoshta mund të kishte qenë edhe i Shqipërisë.

Sulmuesi 20-vjeçar, lindur në Dardanë, ka qenë pjesë e Shkëndisë së Tiranës për disa vjet, dhe është grumbulluar në Shqipërinë U17, veçse nuk mundi të vazhdonte më tej. Ai foli për historinë e tij me Shqipërinë, i ftuar në emisionin Interaktiv në televizionin KTV.

“Kam qenë tek Shqipëria U17, pak por kam pasur disa probleme dhe më kanë hequr. 10 ditë kam ndenjur në grumbullim dhe ditën e ndeshjes më kanë heq nga 18-shja. Nuk e di arsyen pse më kanë hequr, por që prej atëhere kam vendosur të luaj për Kosovën. Kemi pasur ndeshje në Durrës dhe kanë ardhur familjarë të mi, me 3-4 makina, 5 minuta para ndeshjes më kanë thënë “nuk je as  në 18-she”. E kam pa prej tribune ndeshjen”, tha Kastrati.

Kastrati u vlerësua lart edhe në Kroaci, për golat e shënuar, dhe ndihmën për Lokomotivën e Zagrebit, aq sa mediat informuan se mund të merrte ftesë edhe nga Federata për të qenë pjesë e kombëtareve kroate. Futbollisti tregoi për KTV-në se nga Shqipëria, pati sërish interesim, por ai e kishte marrë vendimin.

“Para se me vendos për të luajtur me Kombëtaren A më kanë kontaktuar, por e kam vendosur që do luaj për Kosovën gjthmonë se jam ndjerë më komod, se më kanë pritur më mirë Ramiz Krasniqi me U19, tash trajneri dhe të gjithë”, tha Kastrati.

Karriera e tij duket në rrugën e duhur, pasi shënoi 7 gola këtë sezon për Lokomotivën, në 21 ndeshje të luajtura në Ligën e Parë të Kroacisë, duke ndëshkuar edhe Dinamon e Zagrebit me dy gola, si dhe ekipe të tjerë si Istrën, Goricën apo Sllaven Belupon. Ai luajti pak ndeshje me ekipet zinxhir të Kosovës, ndërsa është sot pjesë e ekipit përfaqësues të të rriturve./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!