Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar gjatë ditës së sotme punimet që po kryhen në Spitalin Universitar të Traumës, për rehabilitimin e Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme, përmirësimin e infrastrukturës në Urgjencën e këtij spitali, si dhe investimet në pajisje bio-mjekësore.
“Jemi në fazën e parë të investimit të Spitalit të Traumës, ku tashmë puna ka filluar dhe jemi me ritme shumë të mira në rehabilitimin e një prej spitaleve shumë të rëndësishme që është spitali i sëmundjeve të brendshme, në këtë Korpus Universitar. Ka një kapacitet prej 60 shtretërish dhe brenda kësaj strukture, do të ketë për herë të parë një strukturë ambulatore. Faza e dytë vijon me rehabilitimin e Korpusit Qendror”, tha Manastirliu.
Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja Ogerta Manastirliu kanë parë nga afër edhe investimet e kryera në repartin e radiologjisë, ku është instaluar një skaner i ri i fjalës së fundit të teknologjisë. “Në Spitalin e Traumës, ashtu sikurse 27 spitale rajonale, bashkiake, universitare dhe poliklinika, ne kemi bërë investimin më të madh në flotën e pajisjeve bio-mjekësore në këtë muaj. Kemi mundësuar që të kemi aparatura të reja bio-mjekësore. Janë 18 grafi digjitale, 4 skanera, 1 angiograf dhe pajisje të tjera të cilat tashmë janë instaluar edhe po vendosen në funksion në spitalet tona. Spitalit të Traumës i është shtuar një skaner i fjalës së fundit të teknologjisë ku mund të bëjnë edhe ekzaminime të tjera intervencionuese, përveç thjesht diagnostikuese. Kemi mundësi që të zhvillohemi më shumë në drejtim të imazherisë”, tha Manastirliu.
Duke folur për fuqizimin e spitaleve, Manastirliu tha se në Spitalin e Traumës së shpejti do të hapet dhe shërbimi i okulistikës.
“Kemi planifikuar gjithashtu edhe shtimin e imazherisë me grafinë digjitale por edhe me hapjen e një shërbimi të ri që është ai i kataraktit, i okulistikës, paketës së re të kataraktës në këtë spital, për t’iu qasur më shumë nevojave dhe për ta kthyer këtë spital, në një qendër rajonale përtej traumës edhe urgjencave”, tha Manastirliu.
Qëllimi i investimit është përmirësimi dhe rritja e kapaciteteve të shtrimit dhe të shërbimit ambulator pranë Pavionit të Sëmundjeve të Brendshme 1 dhe 2 dhe rritjes së eficiensës së kujdesit shëndetësor. Ky investim do të garantojë rikonstruksion tërësor të godinës ekzistuese, rinovimin dhe pajisje, me qëllim modernizimin dhe përmirësimin e shërbimeve që do të ofrohen, riorganizimin funksional i godinës ekzistuese me qëllim optimizimin e shfrytëzimit të hapësirave të brendshme, realizimin e shtesës anësore me qëllim rritjen e kapaciteteve, ndëtimin e urës lidhëse të godinës që do të rikonstruktohet, me Korpusin Qendror të SUT.
Rama dhe Manastirliu inspektojnë investimin në Spitalin e Traumës: 27 spitale e poliklinika me aparatura të reja bashkëkohore
schedule15:52 - 26 Tetor, 2022
schedule 15:52 - 26 Tetor, 2022