Komisioneri për Migrimin në Bashkimin Evropian deklaroi në një intervistë për Deutsche Welle se nëse vende si Shqipëria apo Venezuela e Kolumbia nuk do të ndalojnë azilkërkuesit drejte vendeve të BE-s, atëherë Brukseli do të marrë masa. Në katër muajt e pare të këtij viti, numri i hyrjeve të ligjshme të azilkërkuesve nga Shqipëria në BE u rrit me 30 për qind.
Numri i hyrjeve të ligjshme i azilkërkuesve në Bashkimin Evropian po rritet. Sidomos persona nga Amerika Latine dhe Ballkani Perëndimor kanë përdorur regjimin ekzistues të lëvizjes pa viza, të vendeve të tyre, për të hyrë në BE.
Deklarata është bërë nga komisioneri për Migrimin, Dimitris Avramopulos për Deutsche Welle. Megjithatë, kuotat e njohjes së kërkesave për azil, të personave që hyjnë pa viza, janë minimale, tha ai.
Avramopoulos shtoi më tej se po të vazhdojë kjo tendencë migrimi nga shtete si Venezuela, Kolumbia ose Shqipëria, BE do të ndërmarrë hapa. Ai u bëri thirrje shteteve të prekura që të respektojnë rregullat për të cilat është rënë dakord.
Në qoftë se shtetet nuk e pengojnë keqpërdorimin e vizave dhe rritet edhe më tej numri i kërkesave të paargumentuara për azil, BE mund të pezullojë regjimin pa viza për shtete të veçanta, tha ai.
Sidomos për shkak të hyrjes pa viza, numri i azilkërkuesve në BE që në fillim të vitit është rritur midis janarit dhe fundit të prillit me 15 për qind, në krahasim me një vit më parë.
Komisioneri për Migrimin iu referua shifrave të zyrës së BE-së për azilin, EASO, sipas së cilës, në katër muajt e parë të këtij viti, një në katër kërkesa për azil në BE është bërë nga shtetas të një vendi, qytetarët e të cilit mund të hyjnë pa viza në BE.
Në këtë mënyrë, numri i hyrjeve pa viza të azilkërkuesve nga Venezuela në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar u rrit me 121 për qind në 14.257, nga Kolumbia me 156 për qind në 8,097 dhe nga Shqipëria u rrit me 30 për qind në 7,138.
Në tërësi, megjithatë, numri i azilkërkuesve në BE është në nivelin e ulët të vitit 2014, para krizës së refugjatëve, tha Avramopoulos. Në dallim nga numri hyrjeve në mënyrë të ligjshme, numri i emigrantëve të ardhur në mënyrë të paligjshme edhe këtë vit vazhdon të ketë rënie.
Numri i të ardhurve, në pesë muajt e parë të këtij viti krahasuar me vitin e kaluar, ra me 31 për qind, në rreth 32,400./ABC News Albania 24/7