Manastirliu: Nga 1 nëntori, përfshihet në kalendar vaksina HPV për mbrojtjen e vajzave nga kanceri i qafës së mitrës

schedule11:45 - 22 Tetor, 2022

schedule 11:45 - 22 Tetor, 2022

Në kuadër të aktiviteteve të Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit kundër kancerit të gjirit, është organizuar “Pink-Talk”, një aktivitet i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me pjesëmarrjen e Ministres Ogerta Manastirliu, grave që e kanë fituar betejën me kancerin e gjirit, mjekëve, ekspertëve të fushave të ndryshme. Gjatë fjalës së saj, Manastirliu ka dhënë lajmin e mirë se duke filluar nga data 1 nëntor në kalendarin kombëtar të vaksinimit do të përfshihet kryera e vaksinës HPV.

“Unë jam e gëzuar të them se duke filluar nga data 1 nëntor, ne në Shqipëri, për të parën herë përfshijmë në kalendarin tonë të vaksinimit vaksinën kundër humanpapillomavirusit. Kemi punuar gjatë për të arritur këtu dhe fakti që një vaksinë kaq efektive është dhe ne tashmë kemi mundësi që vajzat tona ti vaksinojmë dhe të garantojmë që deri në 100%, që nuk do t’i prekë kanceri i qafës së mitrës, është një fitore, fitore padyshim e shkencës, por është një fitore e cila ne sjellim në këtë betejë të përditshme kundër sëmundjes dhe pikërisht kundër tumorit të qafës së mitrës”, tha Manastirliu.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, Ministrja Manastirliu tha se falë investimeve në spitalet rajonale por edhe mamografive të lëvizshme, kemi arritur që 20 mijë gra në vit të kryejnë mamografinë falas.

“Me investimet në mamografitë afër vendbanimit, kemi arritur që sot të kryejnë mamografinë rreth 20 mijë gra/vit. Do të mundësojmë gjithashtu në kohë reale që nëpërmjet mamografëve të lëvizshëm të kemi mundësi që të ecim më shpejt në raport me depistimin e hershëm të grave në grupmoshat +50 vjeç në zonat e thella dhe ato rurale të thella, për të mundësuar që targeti që kemi vendosur në Programin tonë Kombëtar të Depistimit të Hershëm të Kancerit të Gjirit ku synojmë që rreth 50 mijë gra në vit të bëjnë mamografinë, të jetë një objektiv i arritshëm”, tha Manastirliu.

Duke folur për shtirjen e shërbimit në spitalet rajonale, Manastirliu tha:

“Ne për këtë vit synojmë që Njësitë e Kemiterapisë t’i shtrijmë në dy spitale. Tashmë e kemi hapur Njësinë e Kemiterapisë së re në Spitalin e Beratit. Brenda këtij viti hapet dhe në Spitalin e Korçës ku është angazhuar dhe mjekja onkologe nëpërmjet sistemit të bonusit për të ofruar shërbim në këtë spital. Na duhet që në organizimin territoriar të planifikimit spitalor të vendosim dhe objektiva strategjikë në raport me shërbimin mbi bazë rajonesh. Spitali Onkologjik bën një punë të lavdërueshme edhe me ngarkesë të plotë. Sigurisht tani ka ardhur koha që këtë dije ta transferojë në spitalet rajonale. Dhe synimi është që modeli i mirë i krijuar në spitalin Onkologjik përsa i përket dhe trajtimit të shërbimit të integruar psiko-social të zhvillohet dhe të organizohet dhe në territor, edhe në spitalet rajonale”.

Duke folur për listën e barnave të rimbursueshme, Manastirliu bëri me dije se buxheti i vitit 2023 do të ketë një rritje për sa u përket barnave falas për sëmundjet kronike dhe ato tumoriale.

“Ne kemi një fond të rimbursimit të barnave i cili planifikohet që edhe për vitin 2023 të rritet duke shkuar në vlerën 11.4 miliard lekë ose 114 milionë euro për trajtimin e sëmundjeve kronike, duke filluar nga tumoret, tek sëmundjet kardiovaskulare, tek diabeti, tek hipertensioni, tek sëmundjet neurodegjenerative dhe të gjitha si paketë e plotë. Janë më shumë se 410 mijë qytetarë të cilët trajtohen nëpërmjet terapive të mjekimit për sëmundjet kronike nëpërmjet kësaj skeme. Dhe për vitin që vjen rritet mbulimi pikërisht për të synuar jo vetëm aksesin në terapi mjekimi por edhe për të përfshirë terapi inovatore në trajtimin e sëmundjeve kronike, sëmundjeve jo të transmetueshme”, tha Manastirliu. /abcnews.al/