Mjeku i njohur Ilir Alimehmeti prej disa ditësh po kryeson sondazhet e zhvilluar online në media të ndryshme për garën e mundshme për bashkinë e Tiranës, nga radhët e opozitës. Edhe në sondazhin e realizuar nga Abcnews.al, nga 5 594 votues, 24% të tyre kanë zgjedhur si të preferuar Ilir Alimehmetin nga radhët e opozitës, ndërsa në vendin e dytë renditet Jorida Tabaku me 20%.
I ftuar në emisionin “Log.” në ABC me Endri Xhafon, mjeku Ilir Alimehmeti i ka shpjeguar votat pro tij, me faktin se njerëzit duan një figurë ndryshe.
“Sondazhi im është shumë në tokë. Është në ecje në rrugë me njerëzit. Këto janë ata që duan të vetë shprehen. Ka një lloj interesi. Kryesisht nga kërkesa e një figure ndryshe.“ tha Ilir Alimehmeti.
Mes të tjerash ai thekson se në popullaritetin e figurës së tij ka ndikuar edhe daljet publike në kohë e pandemisë duke dhënë këshilla për qytetarët.
“Nuk ka qenë kërkesa ime për tu bërë sondazh. Patjetër se pandemia ka ndikuar me daljet e mia. Ekzistojnë momente në jetë që bëjnë ndryshime në shkallën e shërbimit komunitar. Në fund fare për ata bëhet fjalë sa i shërben komunitetit.” tha mjeku i njohur.
/abcnews.al/