Tajson Fjuri mund Tom Shvarcer, synon titullin

schedule14:40 - 16 Qershor, 2019

schedule 14:40 - 16 Qershor, 2019

Boksieri anglez Tajson Fjuri fitoi me lehtësi ndaj gjermanit Shvarc në Las Vegas, pas vetëm dy raundeve. Ish-kampioni absolut i botës tani kërkon një duel me amerikanin Uajlder

E kishte zgjedhur me kujdes hyrjen në skenë.

Tajson Fjuri i përngjau tërësisht heroit të publikut amerikan, Apollo Krid, personazhit të filmit “Roki IV”, kur vuri këmbë në sallën e Arenës së Las Vegasit, për duelin ndaj Tom Shvarcit.

Anglezi fitoi menjëherë dashurinë e mijëra tifozëve, në një skenar të punuar me kujdes, në ndeshjen që pritet të jetë trampoline drejt rikthimit tek triumfi.

Me uniformë të shenjuar me simbolet e flamurit amerikan, Fjuri sikur i bëri jehonë këngës së famshme të Stingut, “Një anglez në Nju Jork”, me ndryshimin e vetëm se ai ishte në Las Vegas.

Vetë dueli i peshave të rënda të boksit profesionist ndaj gjermanit Shvarc nuk është se pati histori.

Fjuri, ish-kampioni i botës, fitoi në vetëm dy raunde me anë të një nokauti teknik, duke treguar diferencën në klas me kundërshtarin 23-vjeçar.

Gjigandi britanik, që mbush shpejt 31 vjeç, u shpall kampion absolut i botës në 2015, pas fitores së bëri bujë ndaj ukrainasit Vladimir Kliçko.

Ai e humbi titullin për shkak të problemeve juridike, ndërsa kaloi një periudhë të vështirë personale, derisa u kthye në ndeshjen për titull, barazuar me kampionin e botës Diontei Uajlder.

Pas fitores me Shvarcin, ai kërkoi pikërisht një revansh ndaj amerikanit Uajlder, duel që mund të ndodhë në fund të këtij viti, ose në fillim të vitit të ardhshëm.

Fjuri u tregua një fisnik i vërtetë në përfundim të duelit, duke shkuar për të takuar stafin e Shvarcit, dhe vetë kundërshtarin, ashtu siç e kërkojnë morali dhe rregullat e sportit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!