Nga Erisa Zyka:
Bashkimi Europian dënon dërgimin e dronëve iranianë në Rusi dhe vendosjen e tyre vdekjeprurëse në shërbim të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
Përmes një vendimi unanim, Këshilli i Bashkimit Europian shtoi tre individë iranianë dhe një entitet iranian në listën e personave dhe entiteteve që i nënshtrohen masave kufizuese për cenimin ose kërcënimin e integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës. Shtetet anëtare të Bashkimit Europian vendosën të aprocojnë këto sanksione në funksion të rolit të Iranit në zhvillimin dhe shpërndarjen e mjeteve ajrore pa pilot (UAV) të përdorura nga Rusia në luftën e saj kundër Ukrainës.
Sipas këtij vendimi, personat që u nënshtrohen sanksioneve do t’u ngrihen asetet, ndërkohë që nga ana tjetër qytetarëve dhe kompanive të Bashkimit Europian u ndalohet të vënë fonde në dispozicion të tyre. Personat fizikë i nënshtrohen gjithashtu një ndalimi të udhëtimit, i cili i pengon ata të hyjnë ose të kalojnë tranzit në territorin e BE-së.
Bëhet fjalë për një njësi ekonomike dhe tre oficerë të lartë janë në listën e zezë: Shahed Aviation Industries: kompania e lidhur me forcën e hapësirës ajrore të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike në Iran, e cila projekton dhe zhvillon dronët kamikaze.
Gjeneral Major Mohamad Bagheri, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura iraniane, i cili deri vonë mburrej me aftësinë për të eksportuar njohuri iraniane në 22 vende. Gjenerali Sayed Hojatollah Qureishi, kreu i divizionit të “Furnizimit, Kërkimit dhe Çështjeve Industriale” në Ministrinë iraniane të Mbrojtjes dhe Logjistikës së Forcave të Armatosura (MODAFL).
Sipas Këshillit të Bashkimit Europian, vendimi i sotëm është një sinjal i vendosmërisë së Bashkimit Europian për t’iu përgjigjur me shpejtësi dhe vendosmëri veprimeve të Iranit që mbështesin agresionin rus kundër Ukrainës. BE-ja nënvizon, se do të vazhdojë t’i përgjigjet të gjitha veprimeve që mbështesin agresionin rus.