Shoqatat e biznesit janë duke mbajtur sot një konferencë ku do të diskutohet rreth paketës fiskale për vitin 2023. Në këtë konferencë, Dhoma e Tregtisë Tiranë është shprehur se paketa fiskale për 2023 nuk ofron ndihmë reale.
Kreu, Nikolin Jaka ka prezantuar disa propozime që sipas tij, do të jenë të dobishme në mënyrë të drejtpërdrejtë te çdo sektor. Sipas tij, Paketa Fiskale ka nevojë për ndërhyrje radikale.
Kreu i Dhomës së Tregtisë, ndër të tjera është shprehur se shoqatat kërkojnë lehtësi fiskale për të përballur krizën që ka përfshirë vendin.
Po ashtu Jaka deklaroi se kërkohet heqja e taksës së akcizës së gazit ose të bëhet rimbursim, të hiqet taksa e pasurive të kompanive të prodhimit ndërsa shtoi se dhjetëfishimi i gjobave në kohë krize është i pakuptimtë.
Sa i përket amnistisë fiskale, sipas kreut të Dhomës së Tregtisë, ajo duhet të miratohet pasi të diskutohet me grupet e interesit.
“Kriza e çmimeve e ka vënë sipërmarrjen përballë sfidave të mëdha. Industritë prodhuese po përballem me kosto që shkojnë mbi 50 %. Dhoma e Tregtisë duke u njohur me paketën e re fiskale shprehet se ekonomia ka nevojë për ndërhyrje radikale. Paketa fiskale jo vetëm që nuk është e mjaftueshme është e fokusuar në shumëfishimin e penaliteteve e gjobave. Në asnjë shtet nuk aplikohen gjoba që janë 10-fish në dëm. Nga ana e qeverisë të ndërmerret një paketë e strukturuar duke u përqendruar tek industritë prodhuese dhe biznesi në tërësi. Të ketë ulje të ngarkesës fiskale dhe hartimi i ligjit për amnistinë fiskale.” /abcnews.al/