Nga emisioni VETTING:
Emisioni “Vetting” ka intervistuar një 20-vjecar nga Tirana i cili ka nisur konsumimin dhe shitjen e lëndëve narkotike që në moshën 14-vjecare. Është tronditëse përgjigjia e tij në momentin kur ai pyetet se cila është ëndrra që ai ka projektuar për të ardhmen. Pa u menduar gjatë ai shprehet se endrra që ka është të hapë një shtëpi bari, jo në Shqipëri por në Angli pasi sipas tij atje mund të bëjë sasi të mëdha lekësh.
“Asnjëherë s’kam për tu penduar. Ne që kemi këtë punë një ëndërr kemi, me hap një vend tonin mos me u marrë kështu, por duke e shitur në sasi të mëdhaja, për të bërë lekë të madh. Asnjëherë s’kam menduar për ndonjë ëndërr, vetëm për të bërë një shtëpi bari kam ëndërr edhe jo këtu se nuk ja vlen por nga Anglia ku bëhet dhe leku i madh. Para se të vij këtu i kam pirë nja 2-3 teke hashash edhe sot që flasim mos të gënjej”.
Është tronditëse, sepse për fat të keq është ëndrra e shumë të rinjve shqiptar të kësaj kohe. Ata nuk duan e as i ëndërrojnë auditoret e universiteteve. Modelet e tyre që shpesh vijnë përmes rrjeteve sociale, janë historitë tragjike të të rinjve shqiptarë që sot janë në majat e krimit të organizuar në botë.