Nga Elton Nika
Një prej rrugëve të lagjes 1 maji në Vlorë po rehabilitohet. Rruga është zgjeruar dhe asfaltuar, por shtyllat e tensionit nuk janë zhvendosur. Kjo shtyllë në mes të rrugës dhe pranë kthesës është burim aksidenti. Drejtuesit e mjeteve dhe banorët e kësaj lagjeje, në të cilën jetojnë mbi 4000 persona kërkojnë që rruga të lirohet sa më parë.
“Çudirat në Shqipëri janë të zakonshme. Duhet të humbasë jetën ndonjë që të bëhet diçka jemi mësuar.”
“Shkojnë makinat do plasën, do vriten.”
“Janë keq duhen spostuar janë rrezik për makinat.”
Thonë se më të rrezikuar janë në mbrëmje, pasi në zonë nuk është instaluar ndriçimi.
“E dritat natën s’na i ndezin, ika në vaki dje natën dhe nuk shikoja. Bënë gjithë këtë punë dhe pa drita meqë bënë tërë këtë punë ti kishin hequr shtyllat.”
Për shqetësimin e banorëve të një prej lagjeve më të mëdha dhe më të vjetra në Vlorë u interesuam pranë Bashkisë. Burimet thanë për abc se punimet nuk kanë përfunduar. Deri tani është hedhur vetëm shtresa e parë e asfaltit.
Po të njëjtat burime sqaruan se shtyllat do të spostohen para hedhje së shtresës së dytë të asfaltit.
Investitori, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka kontraktuar kompaninë 2T.shpk për rehabilitimin e infrastrukturës në lagjen 1 maji. Punimet që nisën në dhjetor të vitit 2020, duhet të kishin përfunduar 8 muaj më pas. Afati është tejkaluar me 13 muaj./abcnews.al/