Ka përfunduar në Gjykatën Administrative seanca për sigurimin e padisë për kolegjin e vajzave“Mehmet Akif.” Gazetari Ermal Vija bën të ditur se gjykata, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, rrëzoi kërkesën e avokatëve të mbrojtjes.
Kështu, heqja e licencës për shkollën mbetet në fuqi.
Kujtojmë se qeveria shqiptare njoftoi më 22 shator mbylljen e gjimnazit “Mehmet Akif Ersoy” në Tiranë.
Vendimi u shpall pas mbledhjes së qeverisë dhe mban firmën e zv/kryeministres Belinda Balluku ndërsa gjimnazi turk në Shqipëri duhet të pajisë nxënësit me dokumentacionin e nevojshëm që ata të transferohen në institucione të tjera arsimore.
Kolegji “Mehmet Akif” ka rezultuar si gjimnazi më cilësor gjatë periudhës që ka ushtruar aktivitet në Shqipëri.
Ky është vendimi i dytë kundër këtyre shkollave gjatë kohëve të fundit.
Vetëm ditë më parë, Ministria e Arsimit urdhëroi mbylljen e një kopshti pjesë e kolegjeve “Turgut Ozal”.
Në vendimin e Këshillit të Ministrave bëhet me dije se institucioni arsimor ka për detyrim të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor që do të shërbejë për transferim në një institucion tjetër dhe të kthejë pagesat e kryera nga prindërit deri në muajin shtator. /abcnews.al/