Shtetet e Bashkuara nuk kanë tregues se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore, pavarësisht “retorikës kërcënuese” për përdorimin e këtyre armëve të presidentit rus, Vladimir Putin.
Kështu tha më 4 tetor zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
Putin ka përshkallëzuar luftën që ka nisur në Ukrainë në shkurt, duke shpallur muajin e kaluar mobilizim të “pjesshëm” ushtarak dhe duke kërcënuar se do të përdorë armë bërthamore.
“Ne marrim seriozisht armët bërthamore apo retorikën kërcënuese për përdorimin e tyre, por dua të them… ne nuk kemi parë asnjë arsye për të përshtatur pozicionin tonë strategjik bërthamor, dhe nuk kemi ndonjë tregues se Rusia po përgatitet të përdorë menjëherë armë bërthamore”, tha Jean-Pierre për gazetarët.
Më 30 shtator, Putin la të kuptohet se do të përdorë armë bërthamore për të mbrojtur territoret ukrainase që pretendoi se i ka aneksuar. Kërcënime për përdorimin e këtyre lloje të armëve, lideri rus ka bërë edhe më herët.
Kievi dhe Perëndimi kanë thënë se nuk do të njohin vendimin e Putinit për aneksimin e Hersonit, Donjeckut, Luhanskut dhe Zaporizhjës. Ky vendim i Putinit u kumtua pasi në këto katër rajone ukrainase, që janë pjesërisht të pushtuara nga forcat ruse, Rusia mbajti referendume të rreme.
Më herët gjatë këtij muaji, presidenti amerikan, Joe Biden, ka paralajmëruar Putinin kundër përdorimit të armëve bërthamore në Ukrainë dhe ka thënë se deklaratat e “pamatura” të Putinit nuk do të frikësojnë Amerikën dhe aleatët e saj./REL/