Raund i ri tarifash për Kinën?

schedule23:45 - 10 Qershor, 2019

schedule 23:45 - 10 Qershor, 2019

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Kinën se do të përballet me një paketë të re tarifash nëse raundi i radhës i negociatave dështon.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar të hënën se është gati të vendosë një tjetër raund tarifash ndëshkuese ndaj importeve kineze nëse nuk arrin një marrëveshje me homologun kinez në samitin e G20-s që mbahet më vonë gjatë muajit.

Që nga seanca e fundit e negociatave që u mbajt në Uashington, Trump ka përsëritur se pret të takohet me Xi Jinping në datat 28 dhe 29 Qershor në Osaka të Japonisë, por pala kineze nuk e ka konfirmuar këtë takim.

Në një intervistë të dhënë të hënën për “CNBC”, Trump tha se, ende beson se homologu Xi do të marrë pjesë në samit. I pyetur nëse raundi i ri i tarifave do të hyjë në fuqi nëse lideri kinez nuk paraqitet, presidenti u përgjigj: “Po, është e mundur. Nëse nuk arrijmë një marrëveshje, tarifat do të rriten”.

Por ai shtoi se ka një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin Xi dhe u shpreh i bindur se Pekini e dëshiron një zgjidhje me Shtetet e Bashkuara. ndërkohë, Ministria e Jashtme kineze deklaroi të hënën se Kina është e hapur për më shumë bisedime me Uashingtonin, por nuk ka asgjë për të thënë lidhur me takimin e përfolur.

Tensionet tregtare mes dy superfuqive u rritën ndjeshëm në Maj, pasi administrata Trump akuzoi Kinën se nuk kishte bërë reformat ekonomike të premtuara pas muajsh të tërë bisedime./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!