Avokatët në Rusi kanë qenë të mbingarkuar gjatë ditëve të fundit pasi çdo ditë marrin kërkesa nga klientët që kërkojnë këshilla ligjore për të shmangur rekrutimin.
Juristët dhe grupet e shoqërisë civile thonë se kanë marrë pafund kërkesa për ndihmë që kur presidenti rus Vladimir Putin njoftoi më 21 shtator se 300,000 njerëz do të thirreshin për të luftuar kundër Ukrainës.
Qindra mijëra rusë tashmë janë strehuar në vendet fqinje si Kazakistani, Gjeorgjia dhe Finlanda. Shumë të tjerë janë ende në Rusi, duke u fshehur nga zyrtarët e rekrutimit me shpresën se nuk do të zbulohen ose se mund të tërhiqen.
“Ne punojmë ditë e natë,” tha Sergey Krivenko, kreu i një grupi prej dhjetë avokatësh të quajtur Qytetari-Ushtria-Ligji.
“Njerëzit janë shkëputur nga jeta e tyre normale. Është një rekrutim i paplanifikuar gjatë një lufte. Mund të duhen muaj apo vite. Njerëzit mund të mos kthehen. Është pothuajse e pamundur të shmangësh ushtrinë. E vetmja rrugë është vdekja ose burgu për mosbindje ndaj urdhrave”, shpjegon ai.
Zbatimi i urdhrit të rekrutimit është kaotik. Javën e kaluar Putin pranoi se ishin bërë gabime dhe tha se ato duhet të korrigjohen.
“Për shembull, po mendoj për baballarët me shumë fëmijë ose ata që vuajnë nga sëmundje kronike ose ata që kanë kaluar moshën ushtarake”, tha Putin.
Në rrjetet sociale qarkullojnë këshilla se si të shmangni rekrutimin.
Avokati i të drejtave të njeriut Pavel Chikov tha se ai dhe ekipi i tij kanë kanë ofruar këshilla për 10,000 punonjës të kompanisë. Ndjekësit e tij në aplikacionin e mesazheve Telegram u trefishuan në 466,000 në dy javët e fundit.
Dmitry Luchenko, drejtor i një kompanie që ofron këshilla dhe informacione ligjore, tha: “Mënyra më e mirë për të shmangur rekrutimin është të largoheni menjëherë nga Rusia”.
Mënyra e dytë më e mirë është të fshihesh, tha ai.
Kirill, 26 vjeç, nga Rusia jugore, tha se nuk dëshiron t’i lërë kafshët e tij shtëpiake, kështu që fshihet, dhe nuk jeton në adresën që ushtria e konsideron shtëpinë e tij.
/abcnews.al