Tsipras kërkon shpërndarjen e Parlamentit

schedule16:20 - 10 Qershor, 2019

schedule 16:20 - 10 Qershor, 2019

Në 7 Korrik Greqia shkon në zgjedhje të parakohshme. Për këtë arsye Tsipras pritet të shpërndajë parlamentin, dhe më pas të takohet me presidentin e vendit. Në një intervistë për mediat greke Tsipras premtoi se qeveria e tij do të punojë deri më 7 Korrik.

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, pritet të kërkojë sot shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Për këtë qëllim Tsipras do të vizitojë presidentin e republikës, Prokopis Pavlopoulos, në ora 18,30. Si rrallë herë, njoftimi për këtë takim është publikuar në faqen zyrtare të presidencës së Republikës greke.

“Mandati i qeverisë Tsipras përfundonte normalisht në muajin tetor. Por kryeministri grek u detyrua të shkonte në zgjedhje të parakohshme, pas humbjes së thellë në zgjedhjet evropiane dhe ato administrative nga demokracia e re e opozitës. Gjatë një interviste televizive, Tsipras tha se qeveria e tij do të vazhdojë punën deri në përfundim të zgjedhjeve që do të mbahen më 7 Korrik”.

 “Vendosëm ta çojmë vendin para kohe, por normalisht në kutitë e votimit. Qeveria do të ushtrojë deri në momentin e fundit detyrat e veta ashtu siç përcaktojnë ligjet dhe kushtetuta”, tha Tsipras.

Një muaj para zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme, sondazhet vazhdojnë t’i japin avantazh të dukshëm Demokracisë së re.

Sondazhi më i fundit, i publikuar nga televizioni privat Alpha, ka evidentuar një epërsi prej 7,7 për qind të partisë më të madhe opozitare, kundrejt SYRIZA-s së kryeministrit Tsipras.

Në vend të tretë vijnë socialistët e KINAL dhe pasojnë partia komuniste dhe Agimi i Artë./ABC News Albania 24/7