Ekipi i Vllaznisë së vajzave arriti të kualifikohej për fazën e grupeve të Champions League, duke bërë kështu një hap shumë të madh në historinë e futbollit shqiptar të femrave duke mposhtur ekipin ukrainas
I ftuar në Abc Live nëpërmjet Skype, presidenti i klubit të futbollit të vajzave së Vllaznisë, Lazër Matija u shpreh i emocionuar edhe i lumtur për këtë sukses.
“Ishin dy ndeshje të cilat na sollën entuziazëm me këtë kualifikim historik, ku ekipi ynë tregoi vlerat e veta, cilësitë e saj, ku gjithashtu ishte një kualifikim që na bëri krenar të gjithëve.
Të futesh në një kompeticion kaq të rëndësishëm evropian është një ndjenjë e jashtëzakonshme, duke u futur në histori me ekipin e vajzave të Vllaznisë.”
Rëndësia e duhur për futbollin e vajzave?
“Këtu në Shqipëri ende mendojnë se futbollin mund ta luajnë vetëm meshkujt, është e vërtetë që ne jemi pak me vonesë në vendin tonë që e praktikojmë këtë gjë, por realiteti është se femrat e luajnë shumë mirë futbollin edhe pse ritmin nuk e kanë të njëjtë me atë të meshkujve.
Por UEFA dhe FIFA po investojnë dhe po e ngrejnë lartë futbollin e femrave kudo. Nuk ka sport në botë sot që mund ta bëjnë meshkujt dhe femrat mos ta bëjnë.
Madje ne treguam mjaft mirë me këtë kualifikim historik që vajzat tona treguan karakter duke mos u dorëzuar deri në minutat e fundit. Femrat po të stërviten mirë dhe po të punojnë fortë, mund të arrijnë suksese.”
Për çfarë duhet të përgatiten vajzat?
“Do të kemi në turne ekipe të forta evropiane dhe botërore, jemi i vetmi ekip nga Evropa qendrore dhe lindore, ne tashmë nuk përfaqësojmë vetëm Ballkanin por edhe një pjeësë të Evropës. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, të punojmë fortë sepse e dimë që nuk do të jetë e lehtë.
Por unë mendoj se Vllaznia me këto vajza, me karakter dhe vullnet të fortë, mendoj se mund të bëjnë surpriza.
Ne kemi një përvojë shumë të vogël në futbollin e femrave, rreth 13 vite. Me mundësinë që ne kemi, mundohemi të afrojmë lojtarë sa më të mirë, duke afruar madje nga Brazili, Amerika, Mali i Zi, të cilat na kanë sjellë përvojë dhe kualitet.
Kerkesat?
Ne faktikisht e kemi bërë më pasion dhe me forcat tona, por nuk është e thjeshtë që të sakrifikosh kaq shumë dhe mos të kesh një mbështetje morale të paktën nga të tjerë. Unë falenderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur, të gjithë ata shqiptarë dhe tifozë të futbollit, pasi ne më shumë kemi nevojë për këtë gjë. Morali ngrihet dhe sigurisht ne gjithçka e bëjmë me pasion.”/ h.ll/abcnews.al