Dafina Karameti ka nisur të merret me fotografinë që kur ishte e vogël. Kjo pasi babai dhe gjyshi i saj ishin fotografë. Kështu, e rritur mes fotografëve, ajo ishte e interesuar për të mësuar se si funksiononte aparati dhe me kalimin e kohës lindi dhe pasioni për t’ju përkushtuar këtij profesioni.
Në një intervistë për “Abc-ja e mëngjesit”, Dafina rrëfeu se ndërsa fëmijët e tjerë luanin me lodra, ajo ishte e interesuar për aparatin fotografik. Ndonëse po studion për arkitekturë, ajo thotë se fotografinë e shikon si një profesion. Ëndrra e saj është që të hapë një studio në Vjenë, ku jeton prej kohësh.
“Nga katër vajza unë kam qenë e vetmja që u interesova dhe mora aparatin që kur isha e vogël. U rrita dhe nuk e lashë më si profesion. Në fillim nisi si hobi por pastaj kisha kërkesa dhe u bë profesion. Të gjithë luanin me lodra unë kisha aparatin dhe mundohesha të kuptoj se si funksionon”, tha Dafina.
“Kam pasur shumë liri nga prindërit sepse dhe mami ka punuar si editore. Jemi një grup i vogël. Ne kemi studion në Dibër prej 85 vitesh por në Vjenë doja të hap një studio në emrin tim dhe të babait.”, theksoi ajo, e cila ka si synim të realizojë dhe një ekspozitë me babain dhe gjyshin e saj. /abcnews.al


