BE transferon mbi 5 milionë euro në buxhetin e Kosovës

schedule15:58 - 28 Shtator, 2022

schedule 15:58 - 28 Shtator, 2022

Komisioni Evropian i transferoi sot buxhetit të Kosovës edhe 5.25 milionë euro të tjera për ta ndihmuar atë në zbutjen e ndikimit të pandemisë COVID-19 dhe rritjen e shpejtë të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, njofton zyra e BE-së në Prishtinë, transmeton Gazeta Express.

Transferta e sotme sjell mbështetjen e drejtpërdrejtë të BE-së për buxhetin e Kosovës në kuadër të kontratës së qëndrueshmërisë të nënshkruar në vitin 2020, në një total prej gati 26 milionë euro.

“Përderisa më e keqja e krizës pandemike është pas nesh, Kosova dhe BE-ja janë prekur nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë. Përmes kësaj pagese të mbështetjes buxhetore ne ndihmojmë likuiditetin financiar të Kosovës për veprimet e ndërmarra për të mbështetur bizneset e vogla, bujqësinë dhe grupet e cenueshme, të përballen me vështirësitë financiare në gjendjen aktuale”, njofton kjo zyrë.

Mbështetja buxhetore është një formë e mbështetjes së BE-së, ku BE-ja shpërblen qeveritë për progresin që bëjnë në zbatimin e strategjive të tyre dhe në arritjen e objektivave që i kanë vendosur vetes. Pagesa e mëparshme e BE-së në lidhje me kontratën e qëndrueshmërisë ishte 20.5 milionë euro, e disbursuar në dhjetor 2020.

BE-ja inkurajon qeverinë e Kosovës që të adresojë dobësitë në sistemin e asistencës sociale për të targetuar më mirë familjet e varfëra, disa prej të cilave aktualisht nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga ky sitem. Meqenëse të ardhurat e disponueshme zvogëlohen veçanërisht për grupet e cenueshme, alokimet buxhetore për sistemin e asistencës sociale duhet të jenë të orientuara mirë dhe në mënyrë transparente.