Një person është proceduar penalisht në qytetin e Shkodrës pasi iu gjetën një sasi fishekzjarrësh dhe lëndësh piroteknike. Policia ka njoftuar se të gjitha ato u sekuestruan në cilësinë e provës materiale pas kontrollit në dyqanin e tij.
Ai u procedua penalisht për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Ndërkohë edhe një person tjetër u procedua penalisht për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive“ dhe “Fshehje e të ardhurave”.
Në banesën e tij u gjetën dhe sekuestruan ne cilësinë e provës materiale 85 kilogramë saçme që shërbejnë për mbushje të fishekëve të armëve të gjuetisë. Ai, saçmat i përgatiste në një ambient që e kishte përshtatur si punishte artizanale, qe u bllokua në cilësinë e provës materiale.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër gjatë 24 orëve të fundit ka ushtruar kontrolle të gjera në dyqane, magazina e ambiente për të parandaluar, evidentuar dhe goditur veprimtarinë e paligjshme të tregtimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve./abcnews.al