Meloni nis punën për krijimin e qeverisë së re, mediet italiane: Salvini “jashtë” kabinetit të ri

schedule14:58 - 27 Shtator, 2022

schedule 14:58 - 27 Shtator, 2022

Vetëm një ditë pas triumfit e qendrës së Djathtë, të përbërë nga “Vëllezërit e Italisë”, “Liga” dhe “Forca Italia” në zgjedhjet e përgjithshme në Itali, Giorgia Meloni, është vënë në lëvizje për të krijuar qeverinë e re.

Mediat italiane bëjnë të ditur se liderja e ekstremit të djathtë ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin në largim, Mario Draghi. Referuar burimeve të cituara nga mediat fqinje, Meloni i ka bërë të qartë Draghit se nuk do jetë më pjesë në qeverinë e re.

Me mandatet që janë ndarë si në Dhomën e Deputetëve dhe në Senat, pikëpyetjet që ngrihen lidhen të gjitha me kabinetin e ri qeveritar që do të drejtojë Italinë në një kohë krizash dhe sfidash të mëdha.

Meloni ka nxituar që të flasë për emrat që do të përfshijë në postet kyçe ministrore. Mirëpo ajo që është vënë re është se në asnjë moment nuk është përmendur Matteo Salvini dicka që mund të shkaktojë tensione në marrëdhëniet e brendshme dhe ekuilibrat e aleancës konservatore.

Salvini ka shprehur qartë dhe në mënyrë të përsëritur dëshirën e tij për t’u kthyer në Ministrinë e Brendshme, të njëjtin pozicion që mbajti në qeverinë e parë të Giuseppe Conte.

Megjithatë në pikëpyetje është edhe pozita që do të mbajë edhe kreu i Forza Italia, Silvio Berlusconi.

Ai dëshiron të zgjidhet në krye të Senatit, por reagimi i tij në ditën e zgjedhjeve nuk kaloi pa u vënë re. Mirëpo edhe pse Meloni ka nguruar të flasë publikisht për emrat, hipoteza që Berluskoni të marrë presidencën e Senatit nuk pritet të realizohet.

Qeveria e re italiane gjatë fushatës  ka prezantuar programin që do të ndjekë në fushën e ekonomisë. Koalicioni është zotuar se do të ulë presionin fiskal tek familjet. Shtrirja e taksës së sheshtë për të ardhura vjetore deri në 100 mijë euro. Kupon fiks në masën 21% për dhënien me qira të pronave tregtare në zona të degraduara.

Parlamenti i ri do të krijohet si organ më 13 tetor. Më pas Presidenti i Republikës Sergio Mattarella do të nisë konsultimet me të gjitha forcat politike, për të caktuar menjëherë urdhrin për formimin e qeverisë./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!