Teksa na ndajnë disa muaj nga mbajtja e zgjedhjeve lokale, Partia Socialiste ka nisur punën. Në studion e “Radar Informativ”, me Juli Xhokaxhi, deputeti Arben Pëllumbi tha se po kristalizojnë kandidaturat që do t’i përfaqësojnë në këto zgjedhje.
“PS pothuajse asnjëherë nuk i fik motorët. Ne kemi bërë një pjesë të mirë të organizimit tonë për fushatën. Zgjedhjet e majit do të jenë lokale dhe konotacioni politik që u japim duhet të jetë më i lehtë.
Duhet të shikojmë figurat e përshtatshme. Nga kjo filozofi kemi nisur edhe punën tonë. Kemi bërë edhe disa procese dhe po kristalizojmë edhe idenë e përfaqësuesve tanë. Strukturat tona politike ku kanë dalë edhe kryetarët e rinj, këto struktura të reja janë në procesin e riorganizimit.
Këtij procesi po i kushtojmë vëmendjen e duhur. Dalëngadalë sipas hapave do të vazhdojmë me përgatitjet”, tha ai.
Lexo edhe: Reforma Territoriale, Pëllumbi: Ekzistuesja ka dhënë fryte, i qëndrojmë 61 bashkive
I pyetur nëse do të ketë largime nga përfaqësuesit ekzistues të pushtetit lokal nga radhët e socialistëve, teksa një pjesë e tyre kanë pasur edhe probleme me ligjin, Pëllumbi theksoi se po analizohet puna konkrete e gjithësecilit.
“Besoj se përfundimi i analizave për punën e secilit. Duhet parë puna konkrete në terren për secilin nga përfaqësuesit tanë dhe sa pranë njerëzve ka qenë. Do të krahasohemi me vetveten në këto zgjedhje se s’kemi me kë të krahasohemi.
Kjo është një përgjegjësi politike. Çdo forcë politike të mund të bëjë një përzgjedhje brenda strukturës që ne e kemi bërë në të gjitha zgjedhjet. Sot kemi një formular të dekriminalizimit. Ne nuk kemi mundësi reale për të kontrolluar të shkuarën e gjithësecilit. Të gjithë këtë armatë njerëzish e ka të pamundur ta kontrollojë deri në detaje”, tha ai. g.v/abcnews.al