Detaje të reja janë zbuluar nga dosja hetimore e Ervis Martinajt.
Fati i të shumëkërkuarit të drejtësisë është mister prej 9 gushtit.
Gazetarja Klodiana Lala u shpreh se grupi hetimor ka kërkuar të dhëna në Itali dhe në Maqedoninë e Veriut për të kërkuar indicie që mund të çojnë në zbulimin e fatit të tij.
“Ka të bëjë me disa informacione të reja. Autoritetet kanë kërkuar të dhëna përmes shenjave të gishtërinjve në Romë dhe në Maqedoninë e Veriut. Nuk dihet pse janë drejtuar në këto shtete por janë të dhëna të reja në drejtim të kësaj çështje. Por do të kërkojë një vëmendje të gjatë për të sqaruar këtë ngjarje.
Detaji më interesant në atë histori kishte të bënte me një video para se të deklarohej i zhdukur. Unë e kam publikuar atë video për të treguar si një personazh i botës së krimit e sfidonte hapur shtetin në një Durrës të tejmbushur nga turistët dhe një personazh i botës së krimit kishte rekrutuar një punonjës policie”, deklaroi Klodiana Lala në Euroneës.
Ajo u shpreh se në sitë po kalohet edhe një person i shumëkërkuar i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje kriminale i cili dyshohet se ka lidhje me zhdukjen e Martinajt.
“Dosja ka pafund histori. Është gjetur një automjet që dyshohet se përdorej nga Ervis Martinaj. Është një pistë që i drejton hetuesit drejt Kosovës. Në sitë po kalohet edhe një person i shumëkërkuar i përfolur për ngjarje të ndryshme kriminale që dyshohet se mund të jetë i përfshirë në këtë situatë.
Kjo është ngjarje që nuk ka vendngjarje. Nuk ka vend rrëmbimi dhe as vend që të bën të dyshosh se kemi të bëjmë me inskenim. Por nga kamerat e fundit ku është parë mund të nisë hetimi i policisë. Në dosje ka një detaj interesant që thotë se të dhënat para se të denonconte xhaxhai humbjen e kontakteve janë marrë nga një burim konfidencial. Ka një detaj tjetër në dosje që mund të jetë nxjerrë në pritë Ervis Martinaj nga një femër që është në proces verifikimi. Kush është ajo?”, u shpreh gazetarja./Abcnews.al/