Irani organizon tubime për të sfiduar protestat anti-qeveritare

schedule07:24 - 24 Shtator, 2022

schedule 07:24 - 24 Shtator, 2022

Protestat e organizuara nga shteti janë mbajtur në disa qytete iraniane, për të sfiduar protestat kundër establishmentit që janë zhvilluar tash e disa ditë, pas vdekjes së një gruaje 22-vjeçare.

Media shtetërore, IRNA tha se disa persona protestuan më 23 shtator “për të censuruar sharjen e Kuranit të Shenjtë, vënien në flakë të xhamive, por edhe shkeljeve të kodit të veshjes islamike”.

Protestuesit dënuan protestat anti-qeveritare, duke i quajtur pjesëmarrësit në to “ushtarë të izraelit”, raportoi televizioni shtetëror. Në protestat shtetërore po ashtu u dëgjuan brohoritjet “Vdekje Amerikës” dhe “Vdekje Izraelit”, që janë slogane që rëndom përdoren nga udhëheqësit klerikë në ngjarjet e sponsorizuara nga shteti.

Protestat e sponsorizuara nga shteti vijnë në mes të paralajmërimeve të fuqishme nga autoritetet, pasi ushtria u tha iranianëve që të përballen me “armiqtë” që qëndrojnë pas trazirave.

Në ditët e fundit, në dhjetëra qytete iraniane janë organizuar protesta lidhur me vdekjen e Mahsa Amini, e cila u arrestua nga policia e moralit nën pretendimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit.

Policia tha se ajo vdiq nga një sulm i papritur në zemër, por aktivistët hedhin poshtë këto pretendime, duke argumentuar se ajo ishte rrahur gjatë arrestimit.

Protestat nisën në vendlindjen e Aminit, në provincën Kurdistan, por më pas u përhapën edhe në pjesë të tjera të vendit, përfshirë edhe në kryeqytetin iranian, Teheran.

Vdekja e Aminit ka bërë që të bëhet thirrje për t’i dhënë fund ligjit për mbajtjen e detyrueshme të hixhabit dhe për shkatërrimin e departamentit të policisë së moralit.

Disa protestues madje kanë bërë thirrje që Republikës Islamike t’i vije fundi.

Ushtria e Iranit tha më 23 shtator se “do të shkatërrojë komplotet e ndryshme të armiqve në mënyrë që të ketë siguri dhe paqe për njerëzit që padrejtësisht po sulmohen”.

“Ne nuk do të lejojmë që armiqtë tanë ta përdorin këtë situatë”, u tha në deklaratën e ushtrisë, sipas agjencisë gjysmë-shtetërore të lajmeve, ISNA.

Ndërkaq, më 22 shtator, kreu i gjyqësorit në Iran, Gholam-Hossein Mohseni-Ejei, u bëri thirrje forcave të sigurisë që të përgjigjen me forcë ndaj protestave.

Që nga nisja e protestave, mediat iraniane kanë raportuar se janë arrestuar 288 persona. Ndërkaq, sipas shifrave zyrtare, 17 persona kanë vdekur deri më tani si pasojë e përleshjeve me policinë, përfshirë edhe pesë zyrtarë policorë.

Por, Qendra për të Drejtat e Njeriut në Iran, me seli në Nju Jork, ka thënë se numri i viktimave është 36 dhe ky numër pritet të rritet. /Rel