Zv/kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, përmes një konference për mediat reagoi në lidhje me përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “BILD”. Sipas Ramës, përgjimet e publikuara tregojnë se krimi i organizuar përmes krimit elektoral është shndërruar në krim shtetëror.
“Krimi elektoral për fat të keq është i shtrirë në një zonë më të gjërë. Dosja 339 edhe për aq sa na është dhënë përmes publikimit të disa përgjimeve, edhe ato që u dhanë së fundmi nga BILD është mjaftueshme për të kuptuar se krimi i organizuar përmes krimit elektoral është shndërruar në krim shtetëror.
Të gjithë tashmë e kanë të qartë se si janë vjedhur votat, si janë blerë votat dhe si është krijuar mazhoranca e krimit. Të gjithë janë të qartë se si janë bërë listat për deputet të mazhorancës”, tha Rama.
Për sa i përket reagimit të depuetetëve socialistë në lidhje me nxjerrjen e sekretit hetimor, Rama tha se ata kanë problem përmbajtjen e përgjimeve të zbardhura.
“Ruajtja e sekretit hetimor është çështje e prokurorisë dhe jo e deputetëve të mazhorancës. Halli i deputetëve të mazhorancës është përmbajtja e përgjimeve të zbardhura. Përmbajtja e dosjeve që mbahen të mbyllura dhe pa u trajtuar ligjërisht siç e kërkon ligji, të cilat nëse nuk do ishin publikuar do ishin varrosur për shkak të një prokurorie të kapur”, tha Rama.
Urdhrin e prokurorisë për të mos publikuar më përgjimet e dosjes në media, Luan Rama e konsideroi akt të shëmtuar që cenon lirinë e medias dhe të drejtën e shqiptarëve për informim./abcnews.al