Ekipi i NATO-s në Shqipëri për sulmet kibernetike, zyrtari: Do t’ju ndihmojmë, mbështesim Shqipërinë në këtë betejë

schedule15:47 - 21 Shtator, 2022

schedule 15:47 - 21 Shtator, 2022

Zëvendës ndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-s për sfidat dhe zhvillim të sigurt z. James Appathurai u shpreh se Shqipëria do të ketë ndihmën dhe mbështetjen e NATO-s në lidhje me sulmet kibernetike që vendi ynë ka pësuar muajt e fundit nga Irani.

Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi në Tiranë zyrtari i NATO-s tha se ai dhe ekipi i tij erdhën në Tiranë për të parë nga afër situatën si edhe për të bërë një koordinim më të mirë për të ndihmuar vendin tonë.

“Të gjitha vendet e NATO-s e njohin sulmin që i është bërë Shqipërisë dhe sigurisht e mbështesin atë në këtë drejtim. Ky është dhe mesazhi që Sekretari i Përgjithshëm i dha kryeministrit Rama në takimin e kaluar. Sigurisht doja të theksoja dhe përpjeket e shumta që ka bërë shteti shqiptar duke nisur nga qeveria deri poshtë te niveli i ulët për të përballuar këto sulmë që janë bërë. Sigurisht ndihma ka ardhur nga NATO, ka ardhur në nivel teknik nga vende të ndryshme të NATO-s, por edhe në nivelin individual nga struktura të ndryshme. Unë dhe ekipi im kemi ardhur këtu për disa arsye të ndryshme, por fillimisht arsyeja kryesore është për të parë situatën dhe për të bërë një koordinim të aleatëve dhe zyrave qendrore të NATO-s në lidhje me sulmin kibernetik që ka ndodhur, për të parë nevojat afatgjata që i nevojiten Shqipërisë për të ndërtuar një rrjet mbrojtjeje ndaj këtyre sulmeve kibernetike dhe Shqipëria po bën hapa përpara në këtë fushë”, u shpreh z. Appathurai, duke theksuar edhe një herë për mbrojtjen e Aleancës në këtë betejë.

Gjatë konferencës së përbashkët, Ministri Niko Peleshi sqaroi qëllimin e vizitës së ekipit të Aleancës në vendin tonë, raporton abcnews.al.

“Ky ekip vjen në vendin tonë për të dhënë asistencë në lidhje me çështjet kibernetike, njohje me situatën aktuale si dhe nevojat dhe mundësitë për adresimin e këtyre çështjeve në vazhdim. Pas sulmeve kibernetike ndaj sistemeve dhe infrastrukturës së teknologjive të informacionit të shtetit shqiptar tashmë të indentifikuara për nga origjina, i menjëhershëm ka qenë reagimi dhe përgjigja e strukturave të specializuara të vendit në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate. Këto sulme kishin për qëllim shkatërrimin e plotë të sistemeve dhe platformave të shërbimeve shtetërore, por nuk arritën qëllimin e fshirjes dhe shkatërrimit të të gjithë sistemeve tona të teknologjive të informacionit. Qeveria shqiptare reagoi menjëherë pasi siguroi prova të pakundërshtueshme për origjinën e sulmit duke ndërprerë menjëherë marrëdhëniet me Iranin. Aleatët tanë dënuan ashpër sulmet dhe dolën krah Shqipërisë nëpërmjet deklaratave të ndryshme apo dhe me afrimin e asistencës së specializuar në fushën kibernetike. Aktualisht pas afro 5 javësh punë intensive është bërë i mundur rikthimi i sistemeve dhe platformave të ndryshme në shërbim të qytetarëve të vendit tonë”, tha Pelshi.

Ekipi i NATO-s ka mbërriti  në Shqipëri, për të asistuar qeverinë në nivel politik dhe teknik pas sulmeve kibernetike. Vizita vjen pas komunikimit të Kryeministrit Edi Rama me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës Jens Stoltenberg. Delegacioni i kryesuar nga zv.asistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për sfidat dhe zhvillim të sigurt z. James Appathurai u takua fillimisht me Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.

Gjithashtu ekipi i NATO-s do të takohet edhe me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme, si dhe me përfaqësues të AKSHI-t.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!