Në selinë blu është duke u mbajtur pasditen e së mërkurës një mbledhje e Grupit Parlamentar të kësaj partie. Gjatë fjalës së tij, kryetari i të djathtëve, Sali Berisha e ka akuzuar kreun e qeverisë se po merr kompetencat e Parlamentit ndërsa fliste për legalizimin e kateve pa leje të kullave.
“Për një kotec, për një gjysmë çatie, qoftë për një shtesë dhome, janë dënuar me burg 3400 shqiptarë. Janë ndjekur penalisht me mijëra të tjerë. Dhe, sot kur vjen problemi te kullat e qeverisë, për ata ligji nuk ekziston. Rama bën vendimin e amnistisë së tyre. Ky është një provokacion i ulët për çdo shqiptar. Një dhunim flagrant i parlamentit. Për pallatet, misteri i Belindës…për kullat tetë kate mbi lejen. Jo që nuk ka asnjë ndëshkim, por ka legalizim mbi bazën e një pazari të turpshëm të Edi Ramës…Sirenat e revoltës popullore po bien në të katërta anët e vendit. Parlamenti është shndërruar në një instrument të një qeverie që nuk zbaton asnjë ligj, asnjë parim. Kanë mbirë në të gjitha anët me dhjetëra mijëra ndërtime dhe thotë këta po i legalizoj. Po ata që u burgosën? Ky është i çmendur, i pangopur. Oreksi vjen me të ngrënë, vjedhja shtohet me vjedhje. Nuk ka sektor që ky nuk ka shtri tentakulat e veta.”
Po ashtu, kryedemokrati tha se opozita do ta vijojë betejën e saj në Parlament, rrugë dhe sheshe.
“Parlamenti de facto me këto gjëra është i asgjësuar. Por ne do vazhdojmë betejën tonë në parlament, në salla, në rrugë, në sheshe. Do bëjmë gjithçka për të justifikuar pritshmëritë e shqiptarëve ndaj Partisë Demokratike dhe opozitës.” /abcnews.al/


