Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë diplomoi sot brezin e 11 të studentëve. Të pranishëm në ceremoninë e brezit 2022, ishin Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, CEO i Bankës Kombëtare tregtare, Seyhan Pencabligli e dhjetëra të ftuar të tjerë përfaqësues të biznesit, politikës e komunitetit akademik.
“Në epokën digjitale dhe përballë një evolucioni teknologjik, ndryshimesh ekonomike dhe transformimesh shoqërore, universiteti paralajmëron ndryshimet e shoqërisë. UMSH është një lajmëtar pararojë e këtyre ndryshimeve. Dhe ne besojmë se vetëm duke pasur në qendërstudentin do të mundemi t’i ofrojmë atyre përaqfimin e këtij vizioni të së ardhmes”, u shpreh Presidenti i Universitetit Mesdhetar, Akademik, Prof.Dr Anastas Angjeli në fjalën e tij, të diplomuarit e Universitetit Mesdhetar janë prova më e dukshme e kontributit për shoqërinë dhe njëkohësisht kontribut për të ardhmen europiane të vendit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës vlerësoi stafin akademik të Universitetit Mesdhetar dhe uroi studentët e prindërit në këtë ditë të veçantë, duke nënvizuar rëndësinë që ka edukimi si dhe mbështetja e të rinjve. Veliaj: “Mirënjohje kujtdo që investon në dije! Na duhen të rinj të aftë në sfidat digjitale”
“Sot gëzohem bashkë me ju sepse kam fituar kolegë të rinj, që do e bëjnë Tiranën më të mirë. Ka njerëz që thonë se kush ka është më i fortë. Por, në fakt, më i fortë është ai që di. Ndaj, besoj se keni bërë investimin më të rëndësishëm, për të marrë dije”, iu drejtua Veliaj studentëve.
Sipas tij, viti 2022 ka qenë një vit i suksesshëm për Tiranën, kushtuar rinisë. Veliaj vlerësoi faktin se për herë të pare, universiteti do pasurohet edhe me degët e reja të teknologjisë së informacionit.
“Teknologjia e informacionit na i ka bërë ca gjëra më të lehta, por ca gjëra edhe më të vështira. Na ka lehtësuar faktin se lejet dhe licencat i japim online, taksat i procesojmë online, parkimin e bëjmë online, ama nëse Shqipëria hyn në një konflikt, siç ka qenë konflikti i fundit me Iranin, do të thotë se jemi dixhitalisht të ekspozuar ndaj botës, sepse kemi dhënë akses edhe për efekt të transparencës. Kjo na bën të kuptojmë se kemi shumë nevojë për zanate të tilla”, tha ai.
CEO i Bankës Kombëtare tregtare, Seyhan Pencabligli gjithashtu dha një mesazh të rëndësishëm për studentët duke i ftuar të mendojne për vendin duke e ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri, ku mundësitë nuk mungojnë. Studentët e ekselencës gjithashtu dhanë dëshmitë e tyre, për studimet në Universitetin Mesdhetar dhe dyert që u janë hapur pas përfundimit të tyre. /abcnews.al/


