Lobimi rus, Ristani: Veprim personal i Bashës, nuk jam në dijeni

schedule19:57 - 14 Shtator, 2022

schedule 19:57 - 14 Shtator, 2022

Vendim personal të Lulzim Basha e ka quajtur Arben Ristani çështjen e lobimit rus. Kjo çështje u rikthye sot pas një artikulli nga mediat amerikane, ku theksohej se Rusia ka financuar para për partitë politikë, përfshirë edhe PD-në.

I ftuar në studion e “Radar Informativ” me Juli Xhokaxhi, Ristani, që në atë kohë ka pasur postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD tha se muk ka pasur dijeni për ngjarjen, deri në momentin që u bë publike në media. Ai theksoi se kalimi i parave është bërë jashtë sistemit bankar dhe se në llogarinë e Partisë Demokratike nuk është bërë asnjë depozitim.

“Duhet të ndajmë qartë që kryetarët nuk mund të jenë partia. Do ju kërkoja ta ndanim. Ky është një veprim personal i zotit Basha. Këto lekë nuk janë të kaluara nga arka e PD. Nuk kanë hyrë në arkë, nuk kanë kaluar në institucionet e financës. Janë veprime personale që nuk kanë kaluar nga arka. Janë personale të Bashës. Bëhet fjalë për 675 mijë dollarë. Por nga këto 500 mijë Basha vetë ka deklaruar se i ka mbledhur nga shqiptarët e Amerikës, 150 mijë euro janë nëpërmjet një kompanie në Edinburg të Skocisë dhe janë 25 mijë dollarë që kanë dalë nga PD.

Për mua është një deklarim që e ka bërë të pamenduar, i ka dalë padashje. Në rast se do të kishte ndodhur, ka një procedurë, duke nisur nga donatorët që duhet ta deklarojnë dhe sigurisht që do të bëhen hyrje në institucion. PD duhet ti merrte në numrin e llogarisë së vet. Rasti konkret është se as kanë dalë dhe as kanë hyrë në bankë. Është një veprim personal që po mundohet të kamuflojë. Kalimi i parave është bërë në të zezë, jashtë sistemit bankar.

Unë nuk kam asnjë veprim të vetëm që të jetë firmosur nga unë. Personalisht nuk kam pasur asnjë dijeni për këtë çështje. Kur PD lidh kontrata lobimi, sipas statuti është vendimmarrje e kryesisë së PD. Në këtë rast nuk ka pasur dhe është veprim personal. Veprimet personale janë të dokumentuara përmes kontratave”, tha Ristani.

Ish-Sekretari i Përgjithshëm kërkoi të të vazhdojnë hetimet, pasi u ndërprenë. “Kjo duhet hetuar. Është një hetim që nisi dhe nuk vazhdoi. Mjafton të vendoset marrëdhënia me partnerët amerikanë për ta vazhduar marrjen në pyetje të lobuesit. Do të dalin edhe prova të tjera. Hetimi i ka të gjitha mundësitë që të vazhdojë”, tha ai.

Ristani, i cili u thirr për t’u marrë në pyetje asokohe, tregon se si u mbyll çështja. Sipas tij ndikoi lidhja e Bashës me Ramën. “Ajo çështje ra në dorë të dy prokurorëve të cilët unë besoj që nuk bënin detyrën në mënyrë korrekte. çështja nisi për pastrim parash, u kërkua që të pyetej dëshmitari nga SHBA, lobisti, dhe në momentin që përgjigjja vjen e ndërmjetme, në rast se do ta merrni në cilësinë e dëshmitarit është i gatshëm të vijë. Pa e sqaruar këtë pozicion hetimet për pastrimin e  parave mbyllen. Nuk ka një çështje të gjykuar. Ngrihet një akuzë idiote për falsifikim dhe me një shpjegim përsëri aspak profesional, ‘falsifikim me mosveprim’, është një term që nuk shkon. Ngrenë një akuzë që e dinin që do të pushohej. Akuza për pastrimin e parave nuk u hetua dhe nuk eci.

Kjo lë të nënkuptosh, duke qenë se Basha në atë kohë ishte lidhur me maxhorancën, po tradhtonte interesat e PD, duket që së bashku me ndikimin që qeveria ka mbi gjyqësorin, arritën të ndërrojnë akuzën dhe ajo ra më pas në gjykatë. Është një veprim shumë i rëndë që kërkon të hetohet”, tha ai. g.v/abcnews.al