Dorëzohet në gjykatë “dosja 339”

schedule12:38 - 3 Qershor, 2019

schedule 12:38 - 3 Qershor, 2019

Dorëzohet në Gjykatën për Krime të Rënda pjesa e parë e dosjes 339, ku janë përcaktuar 12 të pandehur nga Prokuroria. Shorti ka përcaktuar gjyqtarin Fran Prendi për seancën paraprake, e cila do të përcaktoj nëse kjo dosje do të kaloj për gjykim ose je.

Të pandehur në këtë dosje janë: Ramadan Dushaj, Rezart Çaçani, Fatbardh Gostini, Neritan Saraçi, Ardit Haxhagiqi, Gentjan Marku, Oltion Noka, Fation Marku, Samuel Ndoka, Vilson Ndoka, Elis Guri, Luan Boça.

Gjatë hetimeve të prokurorisë, ka rezultuar se i pandehuri Ramadan Dushaj, kamuflonte veprimtarinë e paligjshme të tregtimit të lëndëve narkotike me aktivitet të grumbullimit dhe shitjes së produkteve bujqësore.

12 të pandehurit akuzohen për “Kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit kriminal, prodhim dhe shitja e lëndëve narkotike në bashkëpunim dhe krijim të grupit kriminal”.

Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda vazhdon hetimet për 339/1 ku pak kohë më parë është marrë në pyetje edhe Kryetari i Bashkisë Durrës Vangjush Dako së bashku me zyrtarë të tjerë që kanë bërë fushatën në qytetin bregdetar.

Kryebashkiaku i Durrësit është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni, ndërsa nuk kanë dalë detaje nga dëshmia e tij./ABC News Albania 24/7