Amanda Sascha Selmani ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në Danimarkë. Shqiptarja ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në fushën e bukurisë si parukiere për shumë personazhe publikë, por gjithashtu është angazhuar dhe në televizion dhe së fundmi dhe në boks.
Në një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, Amanda theksoi se ishte vetëm 21 vjeç kur hapi sallonin e saj të bukurisë. Pas vëmendjes së madhe që mori, atë e ftuan nëpër programe të ndryshme televizive, gjë që bëri që të bëhej mjaft e njohur në botën e showbizz-it në Danimarkë.
“Isha 21 vjeç kur hapa dyqanin tim dhe që atëherë kam bërë mjaft gjëra. U rrit biznesi dhe shkova në një sallon tjetër që ishte më i madh. Mu desh të punësoja më shumë njerëz, më pas shkuam në qendër të Kopenhagen sepse aty vinin të gjithë. Kjo më mundësoi të jem më pranë aktiviteteve të ndryshme që bëheshin.
Në fillim nisi duke më ftuar për t’u bërë pjesë në emisione të ndryshme. Më pas erdhi ftesa për programin e duhur. Mendoj se panë tek unë shumë gjëra ku mund t’u tregoja botën time dhe tani jam një prej VIP-ave.”, tha Amanda. Ajo gjithashtu ka qenë pjesë e programit të famshëm “Surviver”.
Duke folur për këtë eksperiencë, ku arriti finalen, ajo tha: “Mendoj se është e rëndësishme t’ju tregosh se vajzat mund të bëj më shumë gjëra nga çfarë duket. Atje në një ishull ku nuk i ke besim askujt, aty njerëzit janë kaq të ligë kur janë duke vuajtur në këtë mënyrë, nuk kanë ushqim dhe është një sfidë e vetme.
Ndihesh e vetmuar për një kohë të gjatë. Isha mësuar të kisha njerëz që më besonin ndërkohë aty acaroheshin me mua sepse e dinë se në fund të emisionit mund të fitosh gjysmë milionë euro.”, shtoi ai. Por, më befasuese ishte pjesëmarrja në një ndeshje boksi.
Pas një ftese që mori, Amanda tregoi se punoi fort për pesë muaj duke u stërvitur çdo ditë. Gjatë intervistës, ajo tregoi se si arriti të mundte një konkurrente e cila ishte stërvitur për dy vite me radhë. “Më kërkuan të marr pjesë një ndeshje boksi, dhe thashë ok, kam për ta bërë këtë sepse i pranoj sfidat.
Më pëlqen se dua t’ju tregoj njerëzve se mund të bëja shumë gjëra, punova çdo ditë për 5 muaj, stërvitesha në mëngjes, drekë, pasdite. U ndesha me një vajzë që ishte stërvitur për dy vite, e dija se duhej ta fitoja atë ndeshje. Ishte një çmenduri, u ndjeva sikur isha në kupë të qiellit.”, tha Amanda.
Më pas, Amanda tregoi se ka firmosur një kontratë për një projekt ndërkombëtar, për të cilin nuk zbuloi detaje. Sakaq, pyetjes nëse do të dëshironte të bënte diçka në Shqipëri, ajo iu përgjigj: “Po, do ta konsideroja ofertën. Më pëlqen të merrem me TV, më pëlqen gjithçka që lidhet me të.
Mendoj se është argëtuese dhe i ka dhënë shumë gëzim jetës sime. Herën tjetër do të filloj programin ndërkombëtar dhe do të ishte e mrekullueshme të bëja disa filmime në Shqipëri.”, tha Amanda. /abcnews.al