Mbretëresha Elizabeth II ndërroi jetë më 8 shtator 2022, në moshën 96-vjeçare. Prej asaj dite, e gjithë Bitania e Madhe është në zi kombëtare, duke i bërë kështu nderimet e fundit monarkes më jetëgjatë të vendit.
Shumë liderë, si presidentët Emmanuel Macron dhe Joe Biden, dërguan ngushëllimet e tyre, ndërkohë që po mbahen dhjetëra shërbime përkujtimore dhe homazhe.
Është hartuar një plan i tërë për atë që do të ndodhë pas vdekjes së Mbretëreshës, i njohur edhe si “Operacioni Ura e Londrës”, që ka të bëjë me një listë e detajuar e procedurave dhe ngjarjeve që do të ndodhin në një periudhë prej 10 ditësh.
Siç mund të jetë vënë re, kurora skoceze qëndron e vendosur mbi arkivolin e mbretëreshës. Mediat britanike shkruajnë se kurora është më shumë se thjesht një stoli mbretërore dhe në fakt ka një qëllim specifik dhe një histori të gjatë pas saj.
Kurora e Skocisë është një nga xhevahiret më të vjetra dhe më të rëndësishme të Mbretërisë së Bashkuar. Diadema është pjesë e setit të bizhuterive Honors of Scotland, një koleksion shumë i rëndësishëm për familjen mbretërore britanike përgjatë historisë dhe ndër më të vjetrat e këtij lloji në të gjithë Britaninë. Nderimet përbëhen nga një skeptër, një shpatë dhe një kurorë, të cilat datojnë përkatësisht nga shekujt 15 dhe 16, ndërsa vetë kurora u bë për Mbretin James V dhe ishte rimodeluar në vitet që pasuan.
Siç shpjegon People, arsyeja pse Kurora e Skocisë ndodhet në arkivolin e Mbretëreshës Elizabeth II është sepse kurora, së bashku me trashëgimitë e tjera në koleksionin në fjalë, përdoren ndonjëherë në mënyrë rituale për qëllime të veçanta. Vdekja e Mbretëreshës së Anglisë është një çështje mjaft e rëndësishme, dhe kështu kurora e Skocisë u përdor si “dekorim”. /abcnews.al