Trajneri i skuadrës së Tiranës Ardian Mema beson se skuadra e tij do të fitojë finalen e Kupës së Shqipërisë. Sipas Memes, sezoni do të cilësohej pozitiv nëse në palmerasin e klubit do të shtohej një trofe kaq i rëndësishëm.
Skuadra e Tiranës do të luajë në finalen Kupës se Shqipërisë ndaj Kukësit të dielën në orën 19:00. Bardheblutë janë në një moment mjaft të mirë pasi siguruan mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar. Trajneri i kryeqytetasve Ardian Mema thekson në prag të finales se koha për të përgatitur skuadrën për këtë ndeshje kaq të rëndësishme është e vogël por sipas tij e rëndësishme është që në skuadër ka qetësi pas arritjes se objektivit.
Kreu i pankinës së bardhebluve kërkon të bëhet analiza e sezonit që sapo përfundoi në mënyrë që të ndryshohet diçka për sezonin e ardhshëm pasi Tirana nuk duhet të luajë në nivele të tilla./ABC News Albania 24/7