Skandali i përgjimeve në Maqedoninë e Veriut, reagon BDI 

schedule16:40 - 1 Qershor, 2019

schedule 16:40 - 1 Qershor, 2019

Bashkimi Demokratik për Integrim, në Maqedoninë e Veriut, përmes zëdhënësit Bujar Osmani bëri të ditur se cështjen e bisedave të përgjuara që publikohen në rrjetet sociale, e ku dëgjohen zëra të funksionarëve të lartë partiak, duhet ta shqyrtojnë institucionet përkatëse.

Bashkimi Demokratik për Integrim, nuk shqetësohet e as që ndërmerr masa pas publikimit të përgjimeve të jashtëligjshme, ku dëgjohen zyrtarë të lartë të kësaj partie nga personi me nofkën “El Cheka”. Zëdhënësi I integristëve Bujar Osmani vlerëson se “bombat” janë ekskluzivisht obligim i institucioneve.

Ndërkaq, profili “El Cheka” në rrjetin social “Facebook”, pas të cilit qëndron një 28-vjeçar nga Kërcova, nga ku publikohen të ashtuquajturat “bomba” të funksionarëve të BDI-së, është mbyllur, por El Cheka ka hapur një profil të ri ku gjatë ditës janë publikuar përgjime të reja.

Nga Prokuroria në Shkup thonë se për shkak të problemeve teknike për kanalin e drejtpërdrejtë mes Ministrisë së Jashtme dhe “Facebook”-ut, kërkesat e tyre për mënjanimin e përgjimeve të “El Chekës” janë dërguar përmes ndihmës juridike ndërkombëtare, kurse Ministria e Brendshme konfirmon se është siguruar një kanal alternativ për bashkëpunim me “Facebook”-un dhe se ky bashkëpunim funksionon normalisht. Përgjime të jashtëligjshme përveç se në “Facebook” janë publikuar edhe në rrjetin YouTube./ABC News Albania 24/7