Aksident tragjik në Çair të Shkupit. Dy vëllezër kanë humbur jetën, ndërsa një person i tretë është plagosur rëndë, si pasojë e rënies së dheut, teksa po punonin në hapjen e një kanali. Dy vëllezërit punonin në kompaninë e babait të tyre ndërsa aksidenti ka ndodhur mesditën e të shtunës.
Sipas dëshmitareve okularë, gjatë kohës kur ka ndodhur aksidenti, i pranishëm ka qenë dhe babai i djemve. Kanali mendohet të jetë më shumë se dy metra i thellë. I pari që është përpjekur të nxjerrë viktimat nga kanali ka qenë babai i tyre. Ndërkohë mediat në Maqedoninë e Veriut raportojnë se i plagosuri rëndë është dhëndri i pronarit të kompanisë. /ABC News Albania 24/7