Mbretëria e Bashkuar është duke vajtuar vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II, monarkes më jetëgjatë në vend. Pas njoftimit për vdekjen e saj nga Pallati Buckingham, kanë ndodhur një sërë ngjarjes duke përfshirë djalin e saj duke u bërë Mbreti Charles III, një fjalim nga kryeministrja Liz Truss dhe homazhe nga liderët anembanë globit.
Mbreti Charles III, i cili kaloi pjesën më të madhe të 73 viteve të tij duke u përgatitur për rolin, merr fronin në një epokë pasigurie si për vendin e tij ashtu edhe për vetë monarkinë.
Në ditën e tij të parë të plotë të detyrës të premten, ai pritet të kthehet në Londër, ku do të takohet me kryeministren Liz Truss, të emëruar vetëm disa ditë më parë, dhe të mbajë një fjalim para kombit në një kohë kur shumë britanikë janë të preokupuar me një krizë energjie, në rritje, kostoja e jetesës, lufta në Ukrainë dhe pasojat nga Brexit.
Në të gjithë vendin ka nisur zyrtarisht një gjendje zie, e cila pritet të qëndrojë deri në mbajtjen e funeralit të Mbretëreshës.
Çfarë do të ndodhë të premten ?
Mbreti dhe bashkëshortja e tij mbretëresha Camilla do të kthehen në Londër nga Balmoral, me monarkun që do të mbajë fjalimin e tij të parë me kryeministren Liz Truss.
Seanca e House of Commons nuk do të fillojë në orën 9:30 siç ishte planifikuar, me të dyja dhomat e Parlamentit që do të mblidhen në mesditë. Deputetët dhe kolegët do të ftohen t’i bëjnë homazhe Mbretëreshës në seancën e udhëhequr nga Truss, e cila do të zgjasë deri në orën 22:00, raporton abcnews.al.
Truss dhe ministra të lartë do të marrin pjesë gjithashtu në një shërbim publik përkujtimor në Katedralen e Shën Palit në qendër të Londrës gjatë ditës. Më pas, qeveria duhet të konfirmojë kohëzgjatjen e zisë kombëtare, e cila ka të ngjarë të jetë rreth 12 ditë, nga tani deri në ditën pas funeralit të Mbretëreshës.
Gjithashtu do të njoftohet se dita e varrimit do të jetë ditë pushimi në formën e Ditës së Zisë Kombëtare. Gjatë të premtes, Mbreti Charles ka të ngjarë të takohet me Earl Marshall – Duka i Norfolk, i cili është përgjegjës për funeralin e Mbretëreshës, për të miratuar me kujdes axhendën për ditët në vijim.
Ai do të vendosë për zgjatjen e kortezhit ose zisë mbretërore për anëtarët e familjes mbretërore, e cila pritet të zgjasë një muaj. Në mbrëmje, Madhëria e Tij pritet t’i drejtohet kombit në një fjalim televiziv, ku do t’i bëjë homazhe nënës së tij dhe do të zotohet të shërbejë si kreu i shtetit.
Në qendër të Londrës, 96 gjuajtje me armë – një për çdo vit të jetës së mbretëreshës do të qëllohen në nderim të monarkes së ndjerë.
Këshilli Qendror i Kambanave të Kishës ka rekomanduar të bien kambanat për një orë nga mesdita. Kambanat do të bien në Westminster Abbey, Katedralen e Shën Palit dhe Kështjellën Windsor.
Çfarë do të ndodhë të shtunën?
Parlamenti do të mbajë një seancë të shtunën për të lejuar deputetët e lartë të bëjnë betimin e besnikërisë ndaj mbretit Charles III. Kjo do të fillojë në orën 14:00 dhe do të pasohet me homazhe, të cilat do të vazhdojnë deri në orën 22:00.
Seanca do të përfundojë me një fjalim për Mbretin. Të gjithë deputetët do të kenë mundësinë t’i bëjnë betimin Mbretit kur Parlamenti të fillojë punë, por nuk janë të detyruar ta bëjnë këtë.
Kryetari i Commons, Sir Lindsay Hoyle do të përcaktojë orarin për ditët në vijim, por pritet të reduktohet ndjeshëm deri pas funeralit shtetëror, ndërsa Parlamenti do të pushojë, raporton abcnews.al.
Kjo do të thotë se ligjet e reja nuk mund të miratohen derisa Parlamenti të kthehet, megjithëse mund të tërhiqet për çështjet më urgjente. Gjithashtu të shtunën në mëngjes, Këshilli do të takohet në Pallatin St James në Londër për të shpallur zyrtarisht Charles si sovranin e ri.
Deklarata e parë publike e sovranit të ri më pas do të lexohet nga ballkoni në Pallatin e St James.
Flamujt do të ulen në shtizë në orën 13:00 për 24 orë.
/abcnews.al