Maqedoni, vijon publikimi i “bombave”

schedule23:45 - 31 Maj, 2019

schedule 23:45 - 31 Maj, 2019

Në Maqedoni ka vijuar publikimi i bisedave të përgjuara mes eksponentëve të qeverisë. Autori i publikimeve, i identifikuar me pseudonimin “El Cheka” ka paralajmëruar se do të vijojë me publikimet deri në hetimin ndërkombëtar të ngjarjeve të Kumanovës.

Në një nga postimet e tij “El Cheka” thotë se “bombat” do t’ua dërgojë CIA-s dhe Ambasadës amerikane në Shkup. Vetëm gjatë ditës ai ka publikuar dhjetëra biseda të përgjuara, kurse paralajmëron se do të vazhdojë me tempon e njëjtë, nëse nuk zbatohet hetim ndërkombëtar për ngjarjet e Kumanovës.

Përveç në profilin “El Cheka”, përgjime të reja janë publikuar edhe në Youtube nga profile me emër të kryeministri Zoran Zaev. Në një prononcim për rrjetet sociale ai ka thënë se nuk e fsheh identitetin e tij dhe se nuk ka frikë nga ekstradimi duke thënë se do ti publikojë të gjitha materialet e publikuara.

Nga ana tjetër, Ministri I Ekonomisë nga radhët e BDI-së, Kreshnik Bekteshi ka theksuar se bëhet fjalë për biseda private dhe se nuk duhet të keqinterpretohen.

Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë: “Nuk do të doja të komentoj gjëra që janë rreptësisht të ndaluara me ligj. Gjithashtu do të doja t’u bëj thirrje mediave se publikimi i tyre është i jashtëligjshëm. Sa u takon “bombave” kam dëgjuar shkurtimisht disa prej tyre. Janë biseda private, njëjtë sikurse me ju të komunikoj privatisht”.

Prokuroria Speciale Publike do të hetojë nëse i posedojnë të njëjtat “bomba’ ose bëhet fjalë për disa pjesë që nuk janë dorëzuar në LSDM e më pas në Prokurori. Do të hetohet gjithashtu nëse janë të sakta pohimet e El Chekës se këto biseda të përgjuara janë të Grupit të Kumanovës.

Nga MPB-ja thonë se po punojnë për zbardhjen e rastit. Kanë vërtetuar se kush qëndron pas profilit dhe do t`i dorëzojnë kallëzim penal. Me urdhër të Prokurorisë, kanë kërkuar që të fshihet profili i “El Chekës” në Facebook, por ai ende është aktiv.

Bombat është duke i analizuar dhe Prokuroria Speciale Publike. Ndërkaq, ekspertë juridik thonë se publikimi i bisedave të këtilla apo të ngjashme dëshmon se nuk ka siguri juridike në vend dhe nëse Prokuroria dhe policia nuk e parandalojnë këtë, mund të ndodhin keqpërdorime të mëdha./ABC News Albania 24/7