Shefi i lartë ushtarak i Ukrainës ka paralajmëruar për rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore ruse në Ukrainë.
Gjeneral Valeriy Zaluzhnyi, dha një vlerësim të detajuar të luftës së deritanishme.
Komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës, Valeriy Zaluzhnyi tha se “kërcënimi i drejtpërdrejtë” i përdorimit të mundshëm të armëve bërthamore taktike nga Rusia ka pasur një ndikim të madh në miratimin e vendimeve përkatëse, ndërsa nuk përjashtoi as mundësinë e përfshirjes së drejtpërdrejtë të fuqive kryesore botërore në një konflikt bërthamor ‘të kufizuar’, duke sjellë më afër perspektivën e Luftës së Tretë Botërore.
“Një faktor tjetër është kërcënimi i drejtpërdrejtë i përdorimit nga Rusia, në rrethana të caktuara, të armëve taktike bërthamore. Betejat në territorin e Ukrainës kanë treguar tashmë se sa shumë i neglizhon Rusia çështjet e sigurisë bërthamore globale në një luftë konvencionale. Është e vështirë të imagjinohet se edhe sulmet bërthamore do të lejojnë Rusinë të thyejë vullnetin e Ukrainës për të rezistuar. Por kërcënimi që do të shfaqet për të gjithë Evropën nuk mund të injorohet. Nuk mund të përjashtohet plotësisht as mundësia e përfshirjes së drejtpërdrejtë të fuqive kryesore botërore në një konflikt bërthamor ‘të kufizuar’, duke sjellë më afër perspektivën e Luftës së Tretë Botërore. Çdo përpjekje ruse për hapa praktikë në përdorimin e armëve bërthamore taktike duhet të parandalohet duke përdorur të gjithë arsenalin e mjeteve në dispozicion të fuqive botërore”, shtoi ai. “Në fund të fundit, duke filluar nga ky moment, Federata Ruse do të bëhet jo vetëm një kërcënim për bashkëjetesën paqësore të Ukrainës, fqinjëve të saj dhe një sërë vendesh evropiane, por edhe një shtet terrorist në shkallë globale”, citohet të ketë thënë zyrtari ukrainas./abcnews.al/